Nisin punën më 19 Dhjetor pas betimit te Presidenti

Tetë janë prokurorët e emëruar këtë të hënë në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Branko, do të kenë një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Puna e tyre nis zyrtarisht më 19 Dhjetor, ditën kur do të betohen perpara Presidentit të Republikës, datë që është caktuar në dakordësi mes Këshilli të Lartë të Prokurorisë dhe kreut të shtetit.

Por që SPAK të funksionojë normalisht, do të duhet të ketë të paktën 10 anëtarë. Për 3 anëtarë të tjerë, Anton Martini, Elisabeta Ymeraj, Anita Jella dhe Doloreza Musabelliu, emërimi ka mbetur pezull për shkak se nuk kanë kaluar ende të dyja shkallët e Vettingut .

Brenda 15 ditësh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të zgjedhë edhe drejtuesin e SPAK, mes Altin Dumanit, Arben Krajës dhe Edvin Kondilit. Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe krimet e kryera nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë.

Prokurorët e posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe të telefonave të tyre për të parandaluar korruptimin apo kanosjen e tyre. SPAK bazohet në modele që janë përdorur edhe në vende të tjera si Kroacia apo Rumania.

Tv Klan