Emisioni “Stop” në Tv Klan trajtoi këtë të hënë rastin e Konsullit në Janinë Sofokli Vasili, i cili është gjobitur pa të drejtë për mospagim të taksës së targave pasi mungon baza ligjore.

Sofokli Vasili ka punuar prej 26 vjetësh në diplomaci dhe pjesën më të madhe të detyrës e ka kryer në Greqi. Në 2014-n, ai emërohet Konsull në Janinë, e para se të nisej, kërkoi të çregjistronte targat shqiptare të makinës pasi do të merrte targat diplomatike në Janinë.

Në atë kohë i thanë se nuk kishte bazë ligjore për një shërbim të tillë. Sofokliu shkoi disa herë në Drejtorinë e Targave, por nuk gjeti zgjidhje. Ai u ankua edhe në Ministrinë e Financave, por as atje nuk mori rrugë çështja e tij.

“Nuk desha të mbërrija tek ju, por u detyrova. Problemi nuk është krijuar nga ana ime, është krijuar nga inkompetenca, paaftësia e institucioneve përpara se dhe pas emërimit tim në Greqi si diplomat. Çështja qëndron kështu: Në 31 Dhjetor të 2013-s, unë u emërova në konsullatën shqiptare në Janinë me detyrën e Konsullit. Menjëherë pas kësaj kam qenë Konsull, diplomat në karrierë. E dija se makina ime me targa shqiptare, pasi të merrja akreditimin në shtetin grek, do targohej diplomatikisht me leje qarkullimi greke deri në mbarimin e detyrës si diplomat në Janinë”, tha Vasili.

Vasili kryen hapat e duhur, por targa TR 3166 F nuk u çregjistrua nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor në 2014-n.

“Përgjigja e personit është që nuk ka kuadër ligjor. Atëherë i drejtohem Ministrisë së Financave. Dhe ata, të njëjtën përgjigje më dhanë. Më 1 Gusht pajisem me targë diplomatike dhe me lejen e qarkullimit greke. Marr lejen dhe nisem për Tiranë me makinë, me këto targa dhe me këtë leje qarkullimi. Shkoj përsëri te Drejtoria e Përgjithshme Rrugore dhe e Transporteve. Takoj të njëjtin person dhe u them “e keni makinën jashtë, të targuar dhe kjo është makina që unë lëviz. Urdhëroni targat që mbaj në dorë, çfarë do bëni në dorë”. Ta kam dhënë përgjigjen tha se nuk ka kuadër ligjor për këtë punë. Nëse i lini targat, atëherë kur të vini do të merrni targa të reja, madje do të bëhet zhdoganimi i makinës. Ndërkohë makina ime është zhdoganuar në 2003-shin”, tha Vasili.  

Sot Konsulli Vasili denoncon në emisionin “Stop” faktin, se nga tatimet i ka ardhur një detyrim prej rreth 3 milionë lekësh të vjetra, për mospagim të taksës së targave. Për të shmangur abuzimet me targën e tij, Sofokliu e le atë në mirëbesim tek punonjësja  e këtij sektori, ndërkohë që makina e tij ishte targuar me targa diplomatike në Greqi.

“Këtë shqetësim e kam pasur gjithë kohën në Janinë. Në vitin 2016, i dërgoj Inspektorit të Përgjithshëm të Ministrisë të Financave një dokumentacion të plotë të lëvizjes sime me këto targa dhe i them, ju lutem më ndërhyni dhe bëni këtë veprim sepse në sistem lëvizin taksat. Përgjigja ishte e njëjtë si në 2016-n si në 2019-n, ku Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë që dispozita ligjore nuk iu kap. Paaftësia e dikujt deshi të më kthente në viktimë dhe pastaj kjo viktimë të dënohet sot me 2 milionë e gjysmë lekë. Kjo është e papranueshme. Unë nuk pranoj të bëhem as viktimë, aq më tepër të dënohem si viktimë”, shprehet Vasili.    

Shefi i Targave, ndërsa përpiqet të sqarojë emisionin “Stop”, sesi mund të zgjidhet kjo situatë, bën blofin, pasi pranon në njëfarë mënyre, se nuk ka zgjidhje.

“Ajo që mund të konfirmoj është që procedura e çregjistrimit të përkohshëm ose të përhershëm qoftë edhe për eksport të mjeteve është një procedurë, është një shërbim që ofrohet që DPSHTR ka filluar aktivitetin e saj. Domethënë kjo procedurë ofrohet. Vetëm thjesht kërkesë për çregjistrim të përkohshëm ose të përhershëm nëse dikush do të shkojë dhe të mos kthehet më”, tha ai.

Por kjo procedurë është e pasaktë. Duke i evidentuar këtë ngërç drejtorit ai u hodh në një version tjetër.

“Në rastin e çregjistrimit të përkohshëm kur qytetari mund të shkojë diku përkohësisht, fare mirë mund të shkojë me mjetin, targën dhe lejen e qarkullimit që ai ka dhe ndërkohë të kthehet ose të autorizojë dikë tjetër me targa dhe leje qarkullimi thjesht në dorë, pa qenë mjeti prezent në Shqipëri, mund të bëjë çregjistrim të përkohshëm”, tha ai.

Edhe ky version i drejtorit është i pasaktë pasi nuk mundet që një shtet i huaj të targojë një mjet që është çregjistruar nga shteti që vjen. Emisioni “Stop” evidentoi mungesën e bazës ligjore, e cila është bërë shkak që konsullit Sofokli Vasili t’i kërkohen rreth 3 milionë taksa të prapambetura. Fakti për mungesën e bazës ligjore pranohet nga punonjësit e Drejtorisë së Targave.

Punonjësi i Drejtorisë së Targave: Prandaj dhe Sofoja nuk mbaroi punë atëherë, see… dy raste kisha këtu, s’kishin rast tjetër, çfarë do bënte, budallallëku më i madh është kjo eee… transferta e përkohshme. Kjo e 6 mijë lekëshit, është budallallëku më i madh.

Gazetari: Pa lidhje fare!

Punonjësi: Si i thua ti tjetrit, që lëri targat këtu te dokumentet dhe ik..?!

Gazetari: Ëëëë..

Punonjësi: Si do iki në kufi ai?!

Gazetari: Po!

Punonjësi: Pa dokumente, pastaj me këtë makinë, që u targua në Greqi, si mund të qarkullojë ky një makinë, që ti e ke të deklaruar në Shqipëri?!

Gazetari: Fiks!  

Punonjësi: Çregjistrim të përkohshëm? Pse ca është ai? Halabak?

Gazetari: E drejtë shumë.

Punonjësi: Ai është një punonjës shteti zyrtar, që do t’i zgjidhi…

Gazetari: Në rregull, siç është procedura.

Punonjësi: Bëj një çregjistrim të përkohshëm dhe merr makinën dhe ik në Greqi!

Gazetari: S’kam si ik unë, se jam pa targa.

Punonjësi: Po jo, mo.

Gazetari: Nga do ik si …? Nga Tirana deri në Gjirokastër?

Punonjësi: Është çregjistrim i përkohshëm, nuk lëviz dot makina, është pa dokumente.

Gazetari: Ai ka shkuar me targat shqiptare deri në Janinë, është targuar me targa diplomatike dhe më pas pastaj, ka ardhur me targat fizike në dorë, ku t’i ka lënë edhe ty në zyrë, që ke qenë prezent dhe je dëshmitari më kyç i kësaj ngjarjeje.

Punonjësi: Po!

Gazetari: Dhe nuk i është ofruar shërbimi…kaq!     

Punonjësi: S’ta ofron njeri mor ti..,s’ta ofron njeri edhe sot.

Gazetari: Edhe sot.

Emisioni “Stop” do t’i drejtohet shkresërisht Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Ministrisë së Financave për të fshirë këtë gjobë, e cila i është faturuar pa të drejtë Konsullit Vasili sepse Drejtoria e Targave nuk ka një bazë ligjore për këtë rast. /tvklan.al