Presidenti foli edhe për pandeminë, armët dhe politikën e jashtme

Vala e re e emigracionit ishte çështja kryesore e përballjes së parë të Presidentit amerikan Joe Biden me gazetarët. Mbi 17 mijë fëmijë po mbahen në qendrat e administruara nga qeveria dhe presidenti u pyet nëse politikat e tij sollën rritje të numrit të fëmijëve.

Biden fajësoi paraardhësin e tij Donald Trump për thellimin e krizës humanitare në kufirin jugor, ndërsa shtoi se ishte normale që në SHBA të kishte rritje të numrit të atyre që kërkojnë strehim politik gjatë muajve më të ftohtë.

“Asgjë nuk ka ndryshuar. Arsyeja pse po vijnë tani është se nuk duan të udhëtojnë si nëpër shkretëtirë dhe të mos ja dalin.”

Presidenti u zotua të shtojë transparencën dhe t’u mundësojë qasje gazetarëve në qendrat ku mbahen fëmijët dhe familjarët e tyre.

Konferenca e parë me gazetarët që zgjati një orë mbuloi gjithashtu çështjen e kontrollit të pandemisë, ligjet për armët dhe tema të politikës së jashtme.

Zoti Biden u zotua të vaksinojë të paktën 200 milionë amerikanë brenda 100 ditëve të para të mandatit të tij.

“Asnjë vend nuk na afrohet me atë që kemi bërë deri më tani,” tha Biden. SHBA-ja ka administruar rreth 130 milionë doza vaksinash por në raport me popullsinë e vendit është ende pas. Autoritet thonë se mesatarisht çdo ditë shpërndahen 2,5 milionë vaksina.

Për politikën e jashtme, ai shigjetoi Kinën dhe Rusinë. Homologun kinez XI Jingping e quaji një autokrat.

“Ashtu si Putin edhe ai mendon se autokracia është e ardhmja, se demokracia nuk mund të funksionojë. Ai nuk ka as më të vogël konkë demokracie në trup, por është një njeri shumë inteligjent,” tha Biden.

Klan News