Vendimi, në grupin parlamentar të PS

Socialistët kanë vendosur që të fusin për miratim në rendin e seancës plenare të ditës së enjte marrëveshjen me Italinë për azilkërkuesit, që do të vendosen në Gjadër. Vendimi iu është njoftuar të zgjedhurve socialistë, në mbledhjen e përjavshme të grupit kuvendor, nga kryetari i tyre Bledi Çuçi.

Por që kjo marrëveshje të shqyrtohet nga parlamenti, duhet më parë të hiqet pezullimi nga Gjykata Kushtetuese, e cila edhe pse në vendimin e saj të 29 Janarit e vlerësoi si në përputhje me Kushtetutën, ende nuk e ka zbardhur vendimit përfundimtar të arsyetuar. Dhe pa u botuar vendimi përfundimtar i saj në Fletoren Zyrtare, parlamenti e ka të pamundur të nisë shqyrtimin e saj.

Gjykata Kushtetuese ka afat 30 ditë për ta zbardhur vendimin përfundimtar, afat që skadon javën e ardhshme, por Çuçi i ka komunikuar deputetëve socialistë se vendimi pritet të publikohet i plotë në fillim të kësaj jave.

Një tjetër projektligj që socialistët shpresojnë të miratohet në seancën e kësaj të enjte është dhe Amnistia Penale, e cila ndryshe nga marrëveshja me Italinë kërkon shumicë prej 84 votash, që për t’i arritur u duhet të bashkojnë votat me demokratët. Çuçi u ka komunikuar deputetëve socialistë se po rakordojnë me deputetët e opozitës për të bërë votat e nevojshme, pa specifikuar se me kë nga grupimet e opozitës po komunikojnë socialistët.

Tv Klan