Bashkimi Europian duhet të ndërtojë një “qytet gjigant refugjatësh” në brigjet e Libisë, për të gjithë azilkërkuesit nga Afrika, përpara se ata që mbërrijnë në Europë. Është ky propozimi më i fundit i Viktor Orban, Kryeministri i Hungarisë.

I njohur për qëndrimin e tij kundër emigrantëve, Orban sugjeron që në Libi të vendoset një qeveri e re, e cila do të drejtojë këtë kamp. Deklaratat ai i bëri në Samitin e Vjenës, ku marrin pjesë liderë të Europës e Ballkanit, mes tyre edhe Kryeminstri shqiptar, Edi Rama.

Libia është në një gjendje kaosi që nga kryengritja e 2011 –ës, pasi rivaliteti mes qeverive dhe milicisë për pushtet është gjithnjë në rritje.

Orban, i cili siç dihet i ka mbyllur kufijtë në jug të Hungarisë me tela gjembi dhe qen roje, thotë se Europa duhet të rimarrë “kontrollin total” të kufijve të saj të jashtëm.

Ai i bëri thirrje Perëndimit që të anulojë embargon e armëve me Libinë dhe të ofrojë ndihmë për grupin rebel, i njohur si Ushtria Çlirimtare e Libisë./tvklan.al