Merr në shqyrtim padinë e grupit Berisha-Bardhi, seanca më 18 Janar

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët që ishte planifikuar të votohej këtë të enjte në Parlament.

Kryetarja Holta Zaçe deklaroi se padia e grupit parlamentar demokrat Bardhi-Berisha është marrë në shqyrtim dhe automatikisht pezullohet votimi në Kuvend.

Kryetarja e gjykatës deklaroi se seanca për dhënien e vendimit do të zhvillohet më 18 janar të vitit 2024.

“Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se për këtë marrëveshje nuk është dhënë autorizimi i Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, të përcaktuara në Kushtetutë. Një tjetër argument i paraqitur nga opozita ishte dhe mungesa e konsultimeve dhe bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët. Gjithashtu sipas opozitës, cenohen të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë iu njeh të huajve, kufizon në mënyrë të padrejtë lirinë, si dhe cenon parimin e barazisë.”

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim padinë e grupit demokrat të kryesuar nga Gazment Bardhi, ndërsa padia e Partisë Demokratike që mbante firmën e Lulzim Bashës, u kthye për plotësim. Të dy këto padi të demokratëve u depozituan më 6 dhjetor. Bardhi deklaroi për mediat se marrëveshja shkel Kushtetutën dhe cenon të drejtat e njeriut.

Pavarësisht qëndrimeve të opozitës italiane, marrëveshja me Shqipërinë pritet të votohet nga dy dhomat e parlamentit italian pas miratimit në qeveri.

Klan News