Presion qeverisë që të qëndrojnë në vend pa kaluar procesin e azilit

Greva e urisë nga disa emigrantë të padokumentuar në Belgjikë ka shkaktuar tension mes autoriteteve. Ata po i bëjnë gjithnjë e më shumë presion qeverisë për t’u dhënë atyre leje qëndrimi pa kaluar procesin e azilit.

Punëtorët e ndihmës thonë se më shumë se 400 emigrantë, të vendosur në dy universitete dhe një kishë në Bruksel, filluan grevën më 23 Maj dhe shëndeti i tyre po përkeqësohet. Emigrantët kanë kërkuar nga autoritetet që të plotësohen kërkesat e tyre për njohjen ligjore, aksesin në punë dhe shërbimet sociale.

Por qeveria nuk i është përgjigjur apelit të tyre. Ministri i ri për Azilin dhe Emigracionin, Sammy Mahdi ka thënë se qeveria nuk do të pranojë të rregullojë statusin e 150,000 emigrantëve të padokumentuar që jetojnë në Belgjikë, por është shprehur e gatshme të zhvillonte bisedime me grevistët për gjendjen e tyre të vështirë.

Jeta nuk është kurrë një çmim që ia vlen të paguhet. Shëndeti i tyre po përkeqësohet, kjo është arsyeja pse unë me të vërtetë dua të përpiqem të bind të gjithë personat dhe të gjitha organizatat që qëndrojnë pas saj për t’u siguruar që ata të mos japin një shpresë të rreme. Ka rregulla qoftë kjo rreth arsimit, qoftë rreth vendeve të punës, qoftë rreth migrimit”.

Emigrantët janë shprehur se po flenë në kushte shumë të këqija. Një pjesë e madhe e tyre kanë ardhur nga vendet ku konfliktet janë prezente ende. Gjatë 2020 ata u detyruan që të jetonin në disa qendra pasi vendet ku ishin të punësuar u mbyllën për shkak të pandemisë COVID-19.

Klan News