Paratë qe emigrantët sjellin në familjet e tyre ose ndryshe remitancat u rritën me 5.3% vitin që shkoi në krahasim me 2017-ën. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në total dërgesat e emigrantëve në Shqipëri arritën në 670 milionë euro, nivel ky më i larti që nga viti 2012.

Për ekspertët, rritja e dërgesave  lidhet me disa faktorë.  Përmirësimi ekonomik i vendeve të BE ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët, lidhjet e forta me familjarët këtu, mundësia e investimeve në Shqipëri dhe numri i lartë i emigrantëve që jetojnë jashtë. Vitin që kaloi sipas INSTAT numri i emigrantëve ishte 38 703 persona.  Ndërsa në 2017-ën afro 40 mijë persona u larguan nga Shqipëria.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur sot se edhe investimet e huaja direkte në Shqipëri për vitin që shkoi shënuan  një nivel rekord prej 1 miliardë e 22 milionë euro.

Në këtë shifër kanë ndikuar kapitali i ardhur nga jashtë në fushën e energjisë në masën 59% dhe hidrokarbur në masën 21%.

Tashmë dihet se dy vepra të mëdha në këto sektorë janë drejt përfundimit si TAP dhe Hidrocentrali i Devollit. Në sektorë të tjerë si turizmi apo bujqësia nuk raportohet të ketë kontribut nga investimet e huaja

Klan Plus