Ardhja e një anije me 70 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme ka shkaktuar protesta në qytezën Amantea të Kalabrisë. 13 prej emigrantëve të paligjshëm kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, gjë që ka sjellë edhe zemërimin e qytetarëve.

Ata kanë bllokuar rrugët kryesore dhe i kanë bërë thirrje autoriteteve që të marrin masa për t’i dërguar emigrantët në vendet e tyre. Sipas qytetarëve, ardhja e tyre do të dëmtojë edhe më shumë turizmin.

Amantea është një zonë bregdetare dhe që është e vetmja qytezë, e cila nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus, që kur pandemia u përhap.

Protestës i janë bashkuar edhe pronarë biznesesh, të cilët janë shprehur se në rast se Covid-19 përhapet në këtë qytezë kjo do të sjellë një dëm të madh ekonomik, pasi pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga turistët që kalojnë pushimet në Kalabri.

Guvernatorja e rajonit të Kalabrisë, Jole Santelli, i ka dërguar një letër kryeministrit Giuseppe Conte ku ka theksuar se autoritetet italiane gjatë këtyre muajve po bëjnë zbarkime emigrantësh të pakotrolluara. Sipas Santellit, qeveria duhet të japë një përgjigje për të mos rrezikuar jetët e të tjerëve.

Edhe në fillim të këtij muaji në qytezën Modragone të Napolit u zhvilluan protesta të dhunshme për shkak se 40 emigrantë të paligjshëm që kanë ardhur nga Bullgaria e Rumania, rezultuan pozitiv me Covid-19.

Klan Plus