Tiranë-Elbasan | Policia Rrugore e Tiranës me radarë, patrulla të shtuara të pajisura me alkooltestues, kamera, aparatë fotografikë e makina të paloguara po vijon monitorimin në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan-Tiranë-Durrës-Tiranë për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Pavarësisht angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Rrugore, apo sensibilizimit të pandërprerë çdo ditë me qëllim ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës për të zbatuar rregullat e qarkullimit, përditë evidentohen shumë drejtues mjetesh dhe shumë këmbësorë që i shkelin këto rregulla duke cënuar rëndë sigurinë e jetës në rrugë.

133 km/h deri në 154 km/h. Drejtues mjetesh që abuzojnë duke përdorur makinën si avion duke u përpjekur t’i shmangen radarit dhe të mos i binden tabelës urdhëruese për ndalim të dhënë nga Policia Rrugore.

Prej orës 20:00 dhe deri në orën 24:00, si rezultat i monitorimit me radar në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, konkretisht në Bërzhitë, u konstatuan 14 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara që varionin nga 133 km/h deri në 154 km/h, ku 1 drejtues mjeti me 138 km/h rezident në Gjermani nuk iu bind urdhërit për ndalim dhe u kap gjatë ndjekjes nga patrullat e tjera të Policisë Rrugore të Tiranës, i cili u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj.

Gjithashtu, u konstatuan dhe 19 raste me shpejtësi nga 115 km/h deri në 127 km/h, ku drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 6.000 deri në0 12.000 lekë secili.

Nga monitorimi me alkooltestues në të gjitha rrugë e Tiranës, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtetet e flagrancës 3 drejtues mjetesh në gjendje të dehur dhe 4 që drejtonin mjetin pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët: Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, mos neglizhoni duke cënuar e vrarë jetën në rrugë.

Të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin janë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparatë fotografikë./tvklan.al