Sefedin Koçi, një emigrant shqiptar që jeton në Alaskë të SHBA-ve, tregon në emisionin “STOP”, historinë e tij të mashtrimit me një apartament të blerë në Kamëz. Koçi thotë se pagoi 40 mijë euro për blerjen e shtëpisë dhe 20 mijë të tjera për arredimin e saj, të cilën më pas e lëshoi me qira.

Në pritje të hipotekës nga investitori i “Riza Konstruksion”, Koçi mëson se shtëpinë e tij po e merrte përmbarimi. Gjithçka kishte ardhur për shkak të një borxhi, që ndërtuesi Meminaj i kishte marrë një tjetër personi, Edmond Lyboshës.

Në një bisedë të regjistruar mes qytetarit Sefedin Koçi dhe ndërtuesit Viktor Meminaj, ky i fundit thotë se ka ngelur trokë dhe për më tepër i merr edhe para për karburant klientit të tij të mashtruar.

“Në vitin 2008 kam blerë një apartament në Mëzez. Ia kam blerë Viktor Meminajt, para noterit kemi bërë kontratat dhe i kam paguar paratë, një vlerë prej 40 mijë eurosh. I kam paguar paratë në dorë para noterit. Në vitin 2011 kam qenë këtu unë, që më është dorëzuar ky apartament nga vetë inxhinieri me çelësa në dorë, me procesverbal”.   

Sefedin Koçi jeton në Alaskë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj hyrjen, që iu bleu dy sipërmarrësve, e lëshoi me qira.  

“Nga viti 2011 e deri më vitin 2017 ka qenë me qira”,

shprehet Koçi. Por 7 muaj më parë, vëllai i tij e lajmëron se kishte shkuar përmbarimi për t’i bllokuar hyrjen.

“Kur vij nga Amerika me fëmijët, shkoj dhe i bie derës, kur shoh unë një femër. I them: ‘Ça do ti këtu?’, ajo më thotë mua: ‘Ti ça do këtu?’. I them unë që kjo është hyrja ime dhe ajo më thotë që ishte me qira. I them: ‘A ka mundësi të dalësh?”, ajo thotë: ‘Jo, e ka pronari me hipotekë këtë hyrje!’.”

Sefedin tregon se apartamentin, për të cilin pagoi 40 mijë euro dhe investoi 20 mijë të tjera, e kishte blerë Edmond Lybesha me 13 mijë euro. Problemi me apartamentin ka ndodhur për shkak të kontratës që është lidhur midis investitorit të kompleksit dhe një subjekti privat.

Koçi ka zhvilluar një bisedë  me investitorin Viktor Meminaj në një kafene, ku është filmuar gjithçka nga kamera e fshehtë e emisionit “STOP”.

Investitori Meminaj –

Unë kam thënë deklaratë noteriale me ty… që të kam 40 milionë lekë.

Sefedin Koçi – Po asnjë lekë nuk i ke atij? Ta ka bërë ai me presion?

Investitori Meminaj –

Po, po! Dhe një gjë tjetër, tani janë bllokuar dy hyrje del më mbrapa, më mbrapa, që unë më ka dhënë ai përmbaruesi 17 mijë euro mua, merr vesh tani?

Sefedin Koçi – Ky, Fatos Alimadhi? Edhe ky është grup me ata apo jo?

Investitori Meminaj

Ky është brënda…

Sefedin Koçi – Ky është mafie?

Investitori Meminaj

Po, ore, po!

Sefedin Koçi – Ky është kryesori, Lybesha?

Investitori Meminaj

Me këtë e kam bërë unë deklaratën noteriale.

Sefedin Koçi – Ama, lekë s’i ke fare atij? E e ke bo kot ti atë?

Investitori Meminaj

Është bërë kot kjo. Puno me skela, gjëra, çfarë lekë, o burrë?!

Koçi tregon për emisionin “STOP”:

“Këtu është një grup mafioz, Fatos Alimadhi, Lefter Cani, “Riza Konstruksion”, Viktor Meminaj dhe Edmond Lybesha, ky që ka blerë 13 mijë euro hyrjen. Si ka mundësi ta blesh nga 60 mijë euro, që më ka shkuar mua, 13 mijë euro?”.

Por investitori vazhdon absurditetin, duke i kërkuar lekë Sefedin Koçit.

Investitori Meminaj

Tani do iki në Himarë.

Sefedin Koçi – Kaq kam unë. 50 mijë lekë.

Investitori Meminaj

Nuk më del për naftë mua…

Sefedin Koçi – Aq kam unë…

Investitori Meminaj

Do më japësh 70! Bëj çfarë të duash 70 ose 80!

Sefedin Koçi – Unë kam 50 mijë lekë.

Investitori Meminaj

T’i hedh naftë…

Sefedin Koçi – Ku do shkosh ti ?

Investitori Meminaj

Do iki në Himarëëëë … do iki në Himarë po të them unë oreee …

Sefedin Koçi – Ej! Po si je katandis kështu ore?

Investitori Meminaj

E lere tashi …

Sefedin Koçi – Na këto 50 mijë lekë, t’i kesh për naftë dhe 10,  60 …

Investitori Meminaj

Më jep edhe një 10-she tjetër!

Sefedin Koçi – S’kam, 60. A i ke për naftë deri në Vlorë, ku do shkosh?

Investitori Meminaj

Ta kem edhe një 10-she për policët rrugës.

Takimi i dytë.

Sefedin Koçi -Tani, unë po të jap 50.

Investitori Meminaj

Më jep edhe 50 të tjera … aman!

Sefedin Koçi – Hahahahahaha…

O sa keq, që je katandis more! Po si je katandis kështu?

Investitori Meminaj

Iku ajo tani … Më jep edhe një 50-she?

Sefedin Koçi – S’kam më, për Zotin!

Moszbatimi i kontratës, ku thuhej se Meminaj i kishte marrë një borxh Lyboshës, shkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe çështja iu caktua gjyqtarit Agron Zhukri, i cili vendosi që të bëhet një urdhër – ekzekutimi. Por gjyqtari ka harruar të analizojë këtë kontratë për të parë nëse bilancet financiare të “Riza Construction” janë fiktive apo të vërteta.

Në vitin 2014, në ekstraktin historik të regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit “Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar” nuk është deklaruar borxhi prej 40 mijë eurosh që i kishte Viktor Meminaj, Edmond Lybeshës.  

Sefedin Koçi zhvilloi një telefonatë me përmbaruesin Fatos Alimadhi.

Përmbaruesi F. Alimadhi

Unë nuk kam bërë asnjë lloj pazari me Viktorin, miku im.

Sefedin Koçi – Ashtu ëëëë?

Përmbaruesi F. Alimadhi

Po! As e kam takuar asnjëherë, në do të dish ti.

Sefedin Koçi – Ti vajte njëherë në fillim me shkep hyrjen, ti atje.

Përmbaruesi F. Alimadhi

Po lëri këto! Ç’i ke këto ti, more, për të më thënë këto gjëra mua? Po pra! Asnjëherë s’e kam takuar.

Sefedin Koçi – Je kështu, burrë i ndershëm ti ëëë?

Përmbaruesi F. Alimadhi

Po, pjesërisht.

Më pas u takua me përmbaruesin tjetër, Lefter Canin.

Përmbarues L.Cani

Unë jam me ligjin, nuk e thy dot, ligjin e kam frikë.

Sefedin Koçi -Ti ke frikë ligjin, ëë? Për të shkatërruar shtëpi, ti s’ke frikë ë?

Përmbarues L. Cani

Po pati urdhër – ekzekutimi, zbato ligjin, nuk të gjen gjë asnjëherë.

Shko merri lekët dhe mos më hajde mu! Shko merrja lekët atij, se ka lokal, ka dyqan, ka shtëpia. Ik e merrja!

Meqenëse përmbaruesi Cani është në dijeni të pronave të tjera të Viktor Meminajt, pse nuk sekuestroi ato, por sekuestroi apartamentin që i ishte shitur Sefedin Koçit?

“Kërkoj nga prokurori i përgjithshëm që kjo hyrje të bllokohet, kush ka paguar paratë ta marrë!”

, shprehet i revoltuar Koçi./

tvklan.al