Ka qenë ora 8:15 minuta, kur Emiljano Shullazi ka dalë nga Drejtoria e Policisë nën masa të rrepta sigurie.

Ai ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në orën 8:25 minuta për t’u njohur me masën e sigurisë.

Seanca në ngarkim të tij, ka filluar 20 minuta më vonë dhe ka zgjatur me shumë se 1 orë.

Në fund, gjykatësi Idrizi Mulkurti vendosi ta lërë në burg për 5 akuza, ku më e rënda është ajo e grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë seancës, që u zhvillua me dyer të mbyllura, Prokuroria argumentoi se Shullazi duhet të qëndrojë në burg edhe për akuzat e gjobëvënies, kanosjes, trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje.

Vetë Emiljano Shullazi nuk ka pranuar asnjë nga akuzat.

Avokati mbrojtës, Alban Qafa tha në fund të seancës, që klienti i tij po mbahet në burg pa prova. Ai pohoi se mes Shullazit dhe biznesmenit Jani Zaka ka patur një takim, por tha se klienti i tij ka ndërhyrë për të zgjidhur sherrin mes Zakës dhe Fatmir Sinanajt, për parkimin me sipërfaqe 1200 metra katrore.

Për gjobvënien e disa biznesmenëve të tjerë, që prokuroria e akuzon Shullazin, avokati tha se nuk ka as kallëzim e as prova.

Togat e zeza lanë në burg edhe dy bashkëpunëtorët e Shullazit, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin. As ata nuk kanë pranuar akuzat, që janë ngritur nga Prokuroria.

Më pas, të tre të arrestuarit janë transferuar në ambientet e burgut “Mine Peza”, në Tiranë.

Prokuroria i ka shtrirë hetimet edhe në Gjykatën e Durrësit, hipotekën e këtij qyteti dhe atë të Tiranës, pasi dyshon se me veprime të kundërligjshme, kanë hedhur në emër të Emiljano Shullazit pronësinë e ish –hotel “Vollgës”.

Këtë pronë, për të cilën është vendosur sekuestro preventive, organi i hetimit thotë se Shullazi e ka përfituar përmes kërcënimeve dhe falsifikimit të dokumentave.

Tv Klan