tasho

Pistoleta e tipit Glok me silenciator që iu gjet kur u arrestua nga forcat RENEA, nuk është ajo me të cilën Emiljano Tasho vrau Enton Nikajn, të mërkurën e kaluar në Linzë.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për Tv Klan se ekspertiza balistike ka treguar se plumbi që i mori jetën 30 –vjeçarit dhe plagosi ish –efektivin e policisë, Mirsad Kuçana, nuk ka dalë nga kjo arme.

Të njëjtat burime saktësuan se në mometin e krimit, Emiljano Tasho ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.

28 –vjeçari ka qëlluar disa herë me qytën e pistoletës shtetasin Ismet Gazheri dhe gjatë kësaj kohe, nga pakujdesia ka shkrepur pistoletën. Plumbi ka goditur Kuçanën dhe Nikajn që gjendeshin përballe, siç tregohet në pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit ku ndodhi krimi.

Tasho, që mbahet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka pranuar se nga arma e tij doli plumbi që vrau Enton Nikajn.

Po kështu, mësohet se ai ka pranuar edhe autorësinë e disa krimeve të tjera të rënda të ndodhura në Tiranë.

Ditën e martë, ai do të dalë përpara Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë, nën akuzën për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim.

Një ditë më parë gjykata la në burg Mirsad Kuçanën. Në kërkim vazhdon të jetë Ervis Martijan dhe Bujar Hasani.

Tv Klan