Opnion-Mbreti Ahmet Zogu ishte një ndër njerëzit më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë së shekullit të 20-të. Në serinë e tretë të ciklit të emisioneve për Mbretin Zog, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, trajtohet një pjesë e aktivitetit të tij në mërgim, që ka qenë krejtësisht e panjohur për shqiptarët.

Në Maj të vitit 1944, Mbreti Zog ishte vendosur përfundimisht në periferi të Londrës në një kështjellë të madhe që mbante emrin e Lordit Pamur. Nga atje, Mbreti Zog ndiqte me shumë ankth zhvillimet në Shqipëri, të cilat u dukën se u kthyen në optimizëm për të vetëm, në momentin kur Abaz Kupi organizoi një lëvizje rezistence dhe nuk hyri në luftë, sepse priste një urdhër nga Zogu. Por kjo bëri që ndikimi i lëvizjes së tij të ishte i kufizuar. Kupi nuk kishte mundësi të frenonte komunistët dhe as të bashkëpunonte me ta.

Dhe pikërisht në këtë moment, Londra merr vendimin që të njohë dhe të atashohet përkrah lëvizjes komuniste të Enver Hoxhës dhe dërgon një mision në Shqipëri. Po në Maj të vitit 1944, Enver Hoxha vendos të organizojë Kongresin e Përmetit, me anë të së cilit, me një vendim ndalon kthimin e Ahmet Zogut në Shqipëri. Ky ishte hapi i parë i komunistëve. Sipas të drejtave ndërkombëtare të asaj kohe, Mbreti Zog duhej të kthehej në Shqipëri pasi ishte larguar nga vendi me forcën e armëve. Ky ishte një moment shumë delikat për Mbretin Zog.

Pas vendimit për të, komunistët vendosin të marrin sulmin final kundër të gjithë kundërshtarëve të tyre. Ata sulmuan të gjitha forcat që nuk pranuan t’iu bashkohen komunistëve. Pak kohë më vonë, komunistët organizojnë mbledhje në Berat dhe krijojnë qeverinë e përkohshme, drejtimi i së cilës i besohet Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës. Më 28 Nëntor të 1944, qeveria e përkohshme e Gjeneral Enver Hoxhës hyn në Tiranë.

Pas shpalljes së qeverisë së re, duket se Mbreti e kuptoi se për të nuk kishte asnjë shpresë politike, të gjithë aleatët kishin filluar të njihnin qeverinë e re të Enver Hoxhës.

I ndodhur në këto kushte, Mbreti Zog kuptoi se nuk ishte më i mirëpritur në Londër dhe mendoi të unifikonte të gjithë faktorët politikë, që për një kohë të gjatë kishin qenë kundërshtarë të tij. Ai ndërmori një udhëtim në Italinë e jugut dhe në veriun e Greqisë, vende ku ndodheshin figura të rëndësishme politike shqiptare, që ishin larguar nga komunizmi. Në Mars të vitit 1946, mbreti Zog u vendos në Aleksandri, i shoqëruar nga një suitë prej 23 personash dhe me 100 qese me florinj, të cilat i kishte ruajtur të paprekura. Ai u vendos në një vilë në breg të detit.

Në vitin 1947, pas kotradiktave mes Titos dhe Stalinit, Shqipëria mbetet vendi më i izoluar i Europës Lindore. Një vend i kufizuar nga dy vende armike, Greqia dhe Jugosllavia. Ndërkohë që përtej Adriatikut ishte Italia, e cila hynte në vendet e rëndësishme të Perëndimit dhe ku ishin të instaluara trupa amerikane.

Mes vitit 1949-1950, Shërbimet Sekrete Britanike dhe CIA fillojnë të gjurmojnë të gjithë elementët nacionalistë dhe emigrantët e rëndësishëm politikë shqiptarë në mërgim, për të krijuar një qeveri shqiptare në mërgim, që do të ishte e gatshme të ndërhynte në rast trazirash në Shqipëri. Ata krijuan elementë të infiltruar për të krijuar trazira në Shqipëri. Por për të arritur të gjithë këtë, atyre iu duhej një komponent i rëndësishëm, siç ishte Mbreti Zog. Në 1951-in, Zogu udhëton drejt SHBA-së, ku blen edhe një vilë, që do të mbetej e vetmja pasuri e tij.

Miqësinë që kishte me vendet e liderëve arabë, ai e shfrytëzoi në favor të Shqipërisë komuniste të asaj kohe. Forca të mëdha botërore nuk pranonin anëtarësimin e Shqipërisë në OKB dhe në këto momente Mbreti Zog ndërhyn tek vendet arabe dhe ata votojnë pro anëtarësimit të Shqipërisë në OKB.

Por duket se një lloj fataliteti vijon ta ndjekë familjen mbretërore në Egjipt. Një pjesë e madhe e nacionalistëve arabë që drejtonin ushtrinë e kohës kishin filluar të kishin pakënaqësi ndaj Mbretit Faruk dhe e konsideronin vegël në duart e britanikëve. Dhe në vitin 1952, ata bëjnë një grusht shteti, arrestojnë mbretin, i cili vetëm një ditë më vonë iku për në Francë. Regjimi i ri në Egjipt nuk e kishte shumë përzemër Mbretin Zog dhe paralajmërimi i parë ishte mbyllja e Ambasadës së Mbretërisë Shqiptare dhe ftesa ndaj qeverisë komuniste që të hapnin ambasadën e re.

Që nga viti 1952 deri në vitin 1955, marrëdhëniet e Mbretit me kolonelët ishin jashtëzakonisht të tensionuara. Të gjitha të ardhurat e tij u vunë nën sekuestro dhe vila ku ai banonte rrethohej nga roje të armatosur. Mbreti vendosi të largohej, por nuk arriti, sepse në këtë moment zbuloi se kishte një problem të madh në shëndetin e tij, kishte ulçera në stomak. Por në Korrik të 1955, ai largohet për në Francë ku vendoset në një vilë mjaft komode. Në momentin e largimit, Mbretit Zog i sekuestrohen të gjitha të ardhurat, përmes një manovre financiare dhe e gjithë familja vendoset në Francë, vetëm me 400 dollarë. Shpëtim për ta u bë vila që ai kishte blerë në SHBA, të cilën arriti ta shesë për 350 mijë dollarë. Shpresat për t’u rikthyer sërish në atdhe ishin zbehur.

Ndërkohë që pas instalimit të regjimit komunist, në Shqipëri kishte filluar një fushatë e jashtëzakonshme për eleminimin e çdo kujtimi të Mbretit Zog. Fundi i viteve 50-të ishte shumë i vështirë për Mbretin Zog, i cili ndodhej në Kanë të Francës. Ai ishte në gjendje jo të mirë financiare dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ai zbuloi se vuante nga kanceri dhe kishte mjaft probleme me zemrën. Në fund të vitit 1960, për të ndjekur kurat shëndetësore, ai transferohet nga Kana në Paris. Në fillim të 1961, ai ishte në momentet e fundit të jetës dhe e ndjente këtë. Në fillim të Prillit të 1961, Mbreti Zog shtrohet në spital. Në fund të jetës, ai i kishte rrëfyer Mbretëreshës Geraldinë se kishte parë një ëndërr, sikur ajo kishte mbërritur në portin e Durrësit e veshur me të bardha dhe shumë njerëz entuziastë kishin dalë ta prisnin. Duket se kjo ishte ëndrra e tij e fundit optimiste, që po ia linte si një lloj testamenti të afërmve të tij. Në ato momente, as ai vetë nuk e dinte se po bënte rolin e një “Kasandre”, pasi në vitin 2002 Mbretëresha Geraldinë mbërrin në Shqipëri, por jo nga porti i Durrësit, por nga Aeroporti i Rinasit, ku u prit nga mjaft mbështetës të monarkisë.

Më datë 9 Prill të vitit 1961, pas një gjendje kome që zgjati disa orë, Mbreti Zog ndërroi jetë në një spital të Parisit. Varrimi i tij u bë më 16 Prill të 1961, në Paris./ tvklan.al