Më 14 Shkurt 2008, Kosova po hynte në 72 orët e fundit përpara Pavarësisë. Në vend të spektatorit të zakonshëm, në studion e “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ishte vendosur banda e Ushtrisë, për të luajtur “Himnin e Flamurit”.

Emisioni nisi me himnin e flamurit dhe befas të gjithë të ftuarit u ngritën në këmbë, duke dhuruar emocione. Një pritje 96-vjeçare befas po merrte formë. Një pritje ku përziheshin të gjitha, dhimbja, trishtimi, vuajtja, por mbi të gjitha gëzimi që më në fund po arrihej diçka.

Të gjithë të ftuarit në emision qenë të emocionuar. Fatmir Limaj kishte luftuar për vite me radhë me UÇK-në dhe Haziri kishte qenë i burgosur politik në Serbi.

Më 15 Shkurt, e gjithë Prishtina ishte e dekoruar kuq e zi dhe entuziazmi dukej kudo. Në Prizren ishte prodhuar një flamur 3000 metra i gjatë, të cilin do ta mbanin në duar 1878 persona, duke ruajtur simbolikën e vitit kur u mbajt Lidhja e Prizrenit.

16 Shkurti ishte i kthjellët dhe entuzast, por edhe më të kthjellët e bënin emigrantët, të cilët mbërrinin çdo moment në Aeroport. Afrimi i kosovarëve me liderët e tyre bëhej edhe më i prekshëm.

Në ditën e Pavarësisë, Thaçi dhe Presidenti Sejdiu u shfaqën në publik bashkë dhe gjithçka ishte sqaruar. Deklaratën e Pavarësisë do ta lexonte Thaçi, përshëndetjen Sejdiu dhe në dokument do të firmosnin të gjithë. Letra që do të përdornin për këtë rast ishte një papirus 700 vjeçar.

17 Shkurti, mëngjesi i Pavarësisë, ishte shpërthyes. Atë mëngjes, Hashim Thaçi kishte shkuar në “Media Center” për të njoftuar se në orën 10:00 i kishte dërguar parlamentit kërkesën për një mbledhje të jashtëzakonshme dhe se mbledhja duhej të fuste në rend të ditës shpalljen e Pavarësisë. Deklarata e tij u prit me ovacione të pafundme.

Duke lënë pas kujtimet e hidhura të urrejtjes dhe konflikteve tragjike, Kosova u fut në epokën e pavarësisë dhe paqes. / tvklan.al

*