Opinion– 5 Marsi i vitit 1953 ishte data kur Stalini, diktatori i Bashkimit Sovjetik dhe një nga njerëzit që e kishte shndërruar atë në një perandori të pathyeshme, vdes në Moskë.

Ky do të ishte një moment paqartësie për pjesën më të madhe të lindjes komuniste. Enver Hoxha në atë kohë mori pjesë në homazhet që u zhvilluan në sheshin Skënderbej.

Ai u betua përpara statujës së tij për besnikëri dhe në të vërtetë askush nuk i ka qëndruar besnik atij më shumë se sa Enver Hoxha. Stalini u dënua jo vetëm nga Bashkimit Sovjetik, por nga e gjithë bota për krimet e tij monstruoze. Pas mitingut në sheshin Skënderbej, Enver Hoxha udhëtoi drejt Moskës për të marrë pjesë në varrimin e tij dhe për të takuar zëvendësuesit të tij të mundshëm.

Përmes emisionit “Opinion”, gazetari Blendi Fevziu ka sjellë në vitin 2004, në një emision të ndarë në 3 pjesë, qeverisjen e Enver Hoxhës dhe prishjen me Bashkimin Sovjetik.

Po në vitin 1953, diktatori shqiptar takohet me Sekretarin e Parë të Bashkimit Sovjetik, Nikita Khrushchev, i cili do të ishte më pas zëvendësuesi i Stalinit.

Nga ky takim Hoxha tregon se nuk pati ndonjë mbresë të veçantë. Në Shtator të vitit 1953, Khrushchev arrin të eliminojë kundërshtarin e tij më të fuqishëm, Ministrin e Brendshëm. Që nga ky moment, Nikita Khrushchev u bë njeriu i gjithëpushtetshëm i Bashkimit Sovjetik.

Thirrjet “Përjetë të bashkuar” dhe “Përjetë me Bashkimin Sovjetik” duket se nuk do të zgjasnin shumë, raportet mes Enver Hoxhës dhe Nikita Khrushchev nuk ishin pozitive. Tensionet duket se filluan nga viti 1954 dhe u tensionuan edhe më shumë në 1955. Ishte pikërisht viti kur Khrushchev nuk do të vijonte me të njëjtën linjë si Stalini. Ai ishte i pari udhëheqës që vizitoi SHBA-në dhe pas vizitës u shpreh:

Ne duam edhe 100 vjet të arrijmë Amerikën.

Në 1956, në Kongresin e 20-të, në një seancë me dyer të mbyllura Khrushchev mban raportin për krimet e Stalinit. Një raport që do të ndryshonte jo vetëm fatin e Bashkimit Sovjetik dhe Lindjes, por të gjithë botës. Pas këtij takimi, Enver Hoxha kritikon në Kongresin e 3-të në Shqipëri Stalinin, por nuk ishte i qetë, sepse Khrushchev nisi të zëvendësojë të gjithë liderët e Partive Komuniste. Situata u tensionua edhe në Shqipëri, kur në Konferencën e Tiranës, më 1956, një grup personash kërkojnë që diktatori të jepte llogari dhe për raportet me Koçi Xoxen. Por në Maj të 1959, Khrushchev vizitoi Shqipërinë dhe u duk sikur marrëdhënia ndryshoi, por në fakt krisjet u bënë edhe më evidente pas vizitës së Khrushchev. Shqipëria mori anën e Kinës pas mbledhjes në Bukuresht. Në Kongresin e 22-të, Khrushchev sulmon ashpër Shqipërinë, si vend që po shkëputej nga Bashkimi Sovjetik.

Fundi nuk kurseu shumë anëtarë të Byrosë Politike, një pjesë e të cilëve u dënuan pas viteve 70-të. Në atë kohë diktatori Hoxha ndodhej në vështirësi, për arsye se sovjetikën ndodheshin në bazën e Pashalimanit të Sazanit. Në këto momente, ai filloi të luante me diplomacinë dhe pati shkëmbim letrash me Perëndimin, për të krijuar një mbrojtje. Por këto tentativa nuk morën përgjigje dhe Shqipëria filloi marrëdhëniet me Kinën, duke përfituar ndihma prej saj. Miqësia midis Shqipërisë dhe Kinës, pavarësisht se dukej e çeliktë dhe perfekte nuk merrej seriozisht. Në vitin 1971, Enver Hoxha duket se lëkundet dhe duket se nuk e ka vendosur se cili do të ishte krahu që do të mbante. Ai filloi të fliste thuajse hapur, duke thënë se rinia duhej stimuluar dhe që brezi i ri që kishte dalë nga lufta duhej të merrte stafetën e revolucionit. Në atë kohë, rinia kishte filluar të dëgjonte muzikë të huaj, por ndodh çudia. Pas festivalit të 11-të filloi ndërshkimi i personave të cilët pretendohej se ishin përgjegjës. Piramida ishte mjaft e madhe. Filloi një seri dënimesh që nuk prekën vetëm kulturën, por edhe sektorët qeverisës.

Enver Hoxha u tregua shumë i ashpër me një nga njerëzit që e kishte dashur më shumë dhe që e kishte mbështetur shumë, Beqir Ballukun. Ai u dënua në një plenium të partisë dhe u izolua për 10 ditë dhe më pas u dënua me vdekje./ tvklan.al