Opinion -Në serinë e tretë të ciklit mbi diktatorin Enver Hoxha, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, trajtohet qeveria e tij pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.

Në këto momente Shqipëria duket se mbetet krejtësisht e vetme dhe e izoluar. Ishte momenti ku në treshen drejtuese të Shqipërisë me lider Enver Hoxhën, vdes në një klinikë në Paris Hysni Kapo. Kjo ngjarje duket se prishi balancat në Byronë Politike dhe njeriu i gjithëpushtetshëm pas Enver Hoxhës ishte shpallur Mehmet Shehu.

Për 26 vite si Kryeministër, Shehu njihej si njeri i hekurt, i ashpër dhe njeriu i gjithëpushtetshëm i viteve 80-81. Marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën kanë qenë shumë komplekse. Ka nga ata që thonë se Shehu dhe Hoxha nuk e kanë dashur anjëherë njëri-tjetrin, ndërkohë që i biri i Mehmet Shehut, Bashkimi, thotë se i ati e ka dashur Enver Hoxhën.

1981-shi ishte viti që do të linte shumë shenja në historinë e Shqipërisë dhe jo vetëm brenda kufijve zyrtarë, por edhe përtej tyre. Më 8 Mars të vitit 1981, në Kosovë fillojnë demostratat e studentëve, ndërkohë që Tirana zyrtare heshte. Vetëm disa javë më vonë, gazeta “Zëri i Popullit” del hapur në mbrojtje të demonstruesve kosovarë.

Ndërkohë që tensionet ishin në maksimum, Enver Hoxha shfaqet krah Mehmet Shehut në paradën tradicionale të 1 Majit. Kjo ishte pamja e fundit miqësore e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Pranë të dyve në atë kohë shihej një i tretë, i cili ishte Ramiz Alia, një nga figurat e Byrosë Politike dhe që fitoi një rëndësi më të madhe pas vitit 1979, pas vdekjes së Hysni Kapos. Në atë kohë dukej se Enver Hoxha luante me balancën mes Shehut dhe Alisë.

Në Vjeshtën e 81-it fillon edhe rënia zyrtare e Mehmet Shehut. Sikurse dihet, atë Vjeshtë ai fejoi djalin e tij, Skënder Shehun me një volejbolliste shumë të njohur, Silva Turdiu, vajzën e një profesori të njohur, Qazim Turdiu. Në ceremoni merr pjesë edhe Enver Hoxha, i cili e miraton këtë fejesë.

Por duket se disa kushërinj të Turdiut, të cilët jetonin në Amerikë, ishin pjesë e organizatave antikomuniste. Enver Hoxha e shfrytëzon këtë moment dhe i kërkon zyrtarisht Mehmet Shehut të prishë fejesën. Dy javë më pas, Mehmet Shehu prish fejesën e djalit me Silva Turdiun.

Megjithatë, Hoxha dhe mbështësit e tij në Byronë Politike nuk do t’ia falnin këtë Shehut, i cili mbeti i vetëm dhe pa asnjë mbështetje. Në Nëntor të atij viti, duket qartë se raportet mes Hoxhës dhe Shehut janë jashtëzakonisht të tensionuara. Kulmi do të arrinte në mbledhjen e thirrur që Mehmet Shehu të bënte autokritikë. Pika e parë ishte të jepte shpjegime se përse e kishte bërë fejesën dhe qëllimin që kërkonte të arrinte përmes saj. Shehu bën një autokritikë të gjatë prej 32 faqesh. Pas kësaj, ata i kërkojnë atij të reflektojë më shumë.

17 Dhjetori ishte një nga momentet që do të hynte thellë në histori, duke lënë pas një nga enigmat më të mëdha që vijon të tundojë. Atë natë, pasi kishte përshëndetur familjarët e tij, Mehmet Shehu ngjitet në dhomën e gjumit ku ulet për të shkruar autokritikën e dytë dhe në mëngjes gjendet i vdekur. Versioni zyrtar është që ka vrarë veten, por shumë të tjerë besojnë se e kanë vrarë.

Ka patur shumë hamendje lidhur me ngjarjen, por njeriu më kyç në ato ditë dhe që do ta zëvendësonte më pas atë, Ramiz Alia, në një intervistë shprehet qartë se Mehmet Shehu ka vrarë veten.

Letra që ai la pas vetëvrasjes duket se nuk është marrë parasysh në librin e Enver Hoxhës “Titistët”. Pasi ai mori vesh se Shehu kishte vrarë veten, diktatori vendos ta dënojë këtë akt dhe ta shpallë tradhtar. Emri i tij u hoq nga  shkollat, ndërmarrjet e historia.

I cilësuar si biri i partisë në vitin 1956, ai nuk ishte më i tillë në vitin 1982. Në një fjalim të mbajtur prej tij, diktatori revokon edhe një herë figurën e Shehut që nga Lufta e Dytë Botërore e në vazhdim.

Në fjalimin e tij, ai e cilëson Mehmet Shehun si tradhtar dhe armik të rrezikshëm të Shqipërisë socialiste.

Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, familja e tij u internua në Belsh të Elbasanit pa gjyq, për 5 vite. 14 ditë pas varrimit, eshtrat e Mehmet Shehut nxirren natën nga varri dhe varrosen në një vend të panjohur. Eshtrat e tij u zbuluan vetëm në vitin 2001 dhe u ç’varrosën sërish për t’u varrosur në Sharrë, në vendin ku kishin qenë./ tvklan.al