Emision për Irakun nga Blendi Fevziu (Video)

19/02/2004 Delegacioni shqiptar që u fut në Bagdad në 2004-n

Dosier-Ndërkohë që kamerat e gjithë botës raportonin live mbi luftën dhe problematikat në Irak që nisi në fund të Marsit të 2003-it, në vitin 2004 një kamera shqiptare futej për herë të parë në Bagdad.

Iraku është një prej vendeve më të mëdha të Lindjes së Mesme dhe me një traditë dhe qytetërim të lashtë. Mëngjesin e 10 Shkurtit të vitit 2004, ndërsa delegacioni shqiptar do të nisej nga Rinasi për në Irak, një autobombë në Bagdad vret më shumë se 54 persona dhe plagos më shumë se 150 të tjerë.

Delegacioni shqiptar ku bënte pjesë edhe gazetari Blendi Fevziu dhe që kishte në krye Presidentin Alfred Moisiu dinte shumë pak gjëra për vizitën në Irak. Për të arritur në Irak e vetmja rrugë e sigurt ishte nga Kuvajti.

I shtrirë në më pak se 17 mijë metra katrorë, Kuvajti u deklarua shtet në vitin 1961. Pas Luftës së Dytë Botërore, Kuvajti u shëndërrua në një nga qendrat më të rëndësishme të botës. Prodhimi bazë në atë vend ishte nafta, të ardhurat nga e cila arrinin 10 miliardë dollarë në vit.

20% e këtyre të ardhurave shkonin në atë që quhej fondi i së ardhmes. Nëpër pallatet në Kuvajt banonin kryesisht emigrantët, të cilët e kishin të ndaluar me ligj blerjen e pronave. Kuvajti është një nga vendet më të pasura të Gjirit Persik, por jo rezerva naftëmbajtëse më e madhe e botës. Iraku, vendi ngjitur me të është një nga rezervat kryesore naftëmbajtëse në Gjirin Persik.

Nga Kuvajti delegacioni shqiptar u nis për në Bagdad me një avion transportues amerikan. “Luftë në kuptimin e parë që të vjen”, kështu e përshkruan Fevziu mbërritjen në Bagdad, teksa delegacioni shqiptar vishej me jelekë antiplumb dhe helmeta.

Përgjatë gjithë rrugës, delegacioni shqiptar ishte i shoqëruar nga marinsë, të cilët monitoronin dhe përgjonin rrugën. Atasheu amerikan që shoqëronte presidentin Alfred Moisiu deklaron se në Irak pallatet e Saddam Hussein janë si bunkerët e Enver Hoxhës në Shqipëri. I gjeje kudo. Një qytet prej 5 milionë banorësh, Bagdadi ishte paralizuar plotësisht nën peshën e frikës nga atentatet. Me mijëra njerëz humbën jetën, ndërsa të huajt nuk dilnin të lirë në qytet.

Bagdadi në atë periudhë ishte shndërruar në një vend që kontrollohej dhe nuk kontrollohej në të njëjtën kohë, nga forcat e koalicionit. Por në Irak më shumë se problemet me mbështetësit e vjetër të regjimit kishin filluar problemet e brendshme etnike e fetare. Aeroporti i Bagdadit ishte e vetmja pikë që kontrollohej plotësisht nga forcat amerikane.

Pas Bagdadit delegacioni shqiptar përgatitet për në Mosul, por herët në mëngjes aeroporti atje ishte goditur me murtaja nga guerrilasit dhe predhat kishin rënë në pistë. Presidenti Moisiu mori përsipër përgjegjësinë dhe udhëtimi nisi.

Mosuli i është bashkuar Irakut më 1925. Shumica e ushtarëve në Mosul ishin të rinj dhe kishin jo më shumë se 11 muaj në shërbim. Ajo që binte në sy në trupat amerikane ishte prania e madhe e femrave, të cilat qëndronin në vijën e parë të shërbimit dhe jo në prapavijë. Alfred Moisiu ishte komandanti i parë i përgjithshëm që vizitoi një strukturë ushtarake jashtë Shqipërisë. Pasi mbylli karrierën e tij ushtarake, befas u gjend në një luftë të vërtetë.

“Impresioni më i madh ishte kur pashë ushtarët tanë që nuk i dridhej qerpiku, gjë që tregonte se kishin përgatitje të mirë psikologjike. Unë kam marrë pjesë në stërvitje shumë të vështira të afërta me situatat luftarake, ndërsa këtu është luftë e vërtetë”, tha Moisiu.

Një trupë prej 71 personash të moshës 20-21 vjeç për herë të parë përfaqësuan Shqipërinë në një luftë reale, pas shumë zboresh dhe stërvitjeve që ata që i kanë përjetuar i kujtojnë edhe sot.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*