Opinion-20 Shkurti i vitit 1991 do të hynte në historinë e Shqipërisë si dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha dhe si “divorci” përfundimtar nga diktatura. Ishte pikërisht kjo tema e trajtuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, më 24.02.2005.

Historia e kësaj ngjarje nis më 6 Shkurt të 1991, në Institutin e Lartë Bujqësor, ku studentët ishin ngritur për të kërkuar kushte më të mira dhe përsëri problemi kishte ardhur nga mungesa e dritave dhe i ftohti i madh. Studentët kishin kërkuar të përmirësoheshin menjëherë kushtet. Pasditen e 6 Shkurtit, studentët e Universitetit të Tiranës u solidarizuan me ta, duke deklaruar se do të pezullonin mësimin dhe do të fillonin një grevë pa afat. Më pas ata do t’i drejtoheshin Kryeministrit të asaj kohe, Adil Çarçani, të cilit do t’i kërkonin plotësimin e 8 kërkesave, të cilat ishin kryesisht ekonomike, përveç njërës.

Kërkesa që u cilësua edhe si “thembra e Akilit” ishte që Universitetit të Tiranës t’i hiqej emri Enver Hoxha. Të gjithë bashkë, studentët ishin të vendosur që të mos negocionin në këtë pikë. Nga data 6 Shkurt deri më datë 18. kur 723 studentë hynë në grevën e urisë. kërkuan heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Greva filloi të përshkallëzohej, u përfshinë mjaft faktorë të cilët kërkonin të vinin kontrollin mbi lëvizjen e studentëve, përfshi këtu edhe forcat politike të kohës, por situata ishte tejet e tensionuar.

Në të vërtetë momenti i parë kur u përmend jo vetëm heqja e emrit të universitetit, por edhe rrëzimi i monumentit daton më 11 Shkurt të 1991, gjatë një tubimi në Qytetin Studenti, ku kishin ardhur të flisnin përfaqësues të forcave politike. Ishte Azem Hajdari ai që përmendi i pari këtë gjë. I vendosur në rolin e një kasandre, Azem Hajdari deklaron atë që do të ndodhte realisht vetëm një javë më vonë.

Partia Demokratike filloi ta kuptonte se instrumentalizimi i kësaj lëvizje mund të dilte jashtë kontrollit dhe mund të krijonte situata të vështira për këtë parti, e cila po haste vështirësi për t’u shtrirë në një sërë rrethesh të vendit. Dhe pikërisht për të mos ndezur situatën dhe për të patur më shumë avantazhe në zgjedhjet që ishin deklaruar për në 31 Mars, PD duket se bëri një hap pas, duke u sugjeruar studentëve të ndërprisnin grevën, ose ta kondiciononin atë me disa kushte, të cilat Partia e Punës ishte e gatshme që t’i plotësonte.

Por në këto momente ndodh një lëvizje. Studentët të cilët kishin vendosur ta çonin përpara grevën e tyre, nuk pranojnë dhe pikërisht në natën e 16-17 Shkurtit, merret përfundimisht vendimi që të fillonte regjistrimi i emrave të studentëve për t’u përfshirë në grevë urie, vazhdimi i së cilës do të përqendrohej vetëm në një pikë: Heqjen e emrit Enver Hoxha Universitetit të Tiranës. Pasi nuk morën asnjë përgjigje për kërkesën e tyre, studentët vendosin që më 18 Shkurt, në orën 12:00 të drekës të nisin grevën e urisë. Situata kishte dalë nga kontrolli dhe qeveria ishte zhvendosur në Presidencë, ku Presidenti Ramiz Alia kishte mjaft dyzime.

Befas nga kampi i Partisë së Punës mbërrin një lajm, që kërkonte shtyrjen me 24 orë të grevës së urisë, me kushtin që të gjendej një zgjedhje përmes dialogut, mes Partisë së Punës dhe partive të tjera. Por studentët ishin të tensionuar dhe ideja që mund të shtyhej greva me 24 orë i bënte të besonin se diçka po luhej. Studentët vendosin të hyjnë në grevë urie. Ata e kishin veçuar veten dhe nuk ishin nën ndikimin e organizatave apo partive politike. Ngjarjet në të vërtetë po evolonin shumë më shpejt se sa zgjidhjet politike që po tentonin të jepnin forcat politike.

723 studentët vendosin të futen në Pallatin e Kulturës për t’u ngujuar në grevë pa afat. Studentët brenda grevës kishin filluar të ndaheshin në dy grupime, ata që kërkonin një politikë më të moderuar dhe më normale dhe ata që ishin të gatshëm të radikalizonin situatën dhe të kërkonin të bëhej plotësimi i kërkesave të tyre, edhe nëse duhej të flijohej ndonjëri prej tyre. Ky grup radikal kishte fituar zemrat e studentëve. Studentët hynë në salla të relativisht të vogla për të mbajtur atë kapacitet studentësh. Numri i tyre u shtua edhe më shumë se 723 studentë.

Rreth orës 17:00, studentët e mbyllin nga pas derën me dërrasa dhe kështu fillon nata e parë e urisë. Pas natës së parë të grevës, mëngjesin e 19 Shkurtit, sëbashku me prindërit ishin solidarizuar edhe njerëz të tjerë për t’i mbështetur dhe bashkë me ta mbërrin edhe lajmi i parë. Pleniumi i Partisë së Punës së Shqipërisë ishte mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar kërkesën e tyre. U duk se vetëm pas një dite kërkesa e studentëve u arrit, por në fakt në lajmet e orës 14:00 të RTSH u lexua një deklaratë krejt e kundërt me atë që u dha në fillim. Deklarata ishte mjaft e ashpër dhe kujtonte se studentët e UT jetonin në kushtet më të mira dhe nga ana tjetër çështja e studentëve ishte një çështje që nuk e vendosnin disa studentëve, por të gjithë atyre që kishin studiuar aty.

Dukej se tashmë, edhe brenda PD u ngritën zëra për mbështjen 100 % të grevës së studentëve, për një lëvizje më radikale. Dhe pasditen e 19 Shkurtit, në një mbledhje “rrufe”, bashkimi i sindikatave të Shqipërisë bën thirrje që të ndërpritet puna dhe të gjithë të grumbullohen në Qytetin Studenti. Ramiz Alia ishte i vetmi që po e kuptonte se një bashkim i tillë mes sindikatave të pavaruara dhe gjithë popullsisë do të krijonte mjaft probleme.

TVSH jep lajmin se një bashkim i tillë do të ishte i paligjshëm, por sindikatat nuk u tërhoqën. Mesnatën mes 19-20 Shkurtit befas në PD mbërrin ftesa e Ramiz Alias për një takim për të ç’tensionuar situatën. Mëngjesin e 20 Shkurtit, protesta po merrte një përmasë të madhe. Rreth 100 mijë vetë ishin që në mëngjes në Qytetin Studenti. Një pjesë e protestuesve u drejtuan në qendër të qytetit, vendosën kavo në bustin e diktatorit Enver Hoxha dhe në orën 14:04 e rrëzuan. Ky moment ishte një ekstazë kolektive. Disa protestues e kishin lidhur bustin me kavo dhe po tentonin ta çonin atë në Qytetin Studenti, përkrah studentëve. Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm, nuk pritej.

Edhe në qytetet e tjera filloi të rrëzohej dhe të digjej gjithçka që kishte lidhje me diktatorin Hoxha. Në mbrëmjen e 20 Shkurtit, Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti, dy ministra të qeverisë shkojnë në godinën ku ishin ngujuar studentët me një shkresë, ku thuhej se i hiqej emri Enver Hoxha universitetit. Në 20:00 të mbrëmjes konfirmohet lajmi përmes lajmeve të TVSH. Ndërkohë që prindërit takoheshin me fëmijët e tyre që ishin ngujuar prej 48 orësh, në Komitetin e Partisë së Punës po ndodhte një fenomen i çuditshëm dhe i padëgjuar më parë. Qeveria kishte rënë./ tvklan.al