Mes emocioneve për fitoren e Botërorit të Femrave në Futboll nga Spanja, është shënuar edhe një episod i sikletshëm.

Teksa po jepeshin medaljet për futbollistet e Spanjës që fituan Botërorin e Femrave me Anglinë, Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, ka puthur në buzë futbollisten Jenni Hermoso.

Më pas mes tyre nisën të qeshurat. Por ky moment i befasoi të gjithë, teksa të pranishmit por edhe ata që panë videon në internet mbetën të befasuar. Audienca e vlerësoi si të papërshtatshme sjelljen e Presidentit të Federatës Spanjolle.

Vetë futbollistja 33-vjeçarja, kur u pyet nga televizioni spanjoll “La 1” për episodin, tha: “Eh.. nuk më pëlqeu”.

Ndërsa Presidenti i Federatës nuk i kushtoi rëndësi veprimit të tij, duke thënë se ishte një shfaqje e vogël dashurie, ndërsa komentet i konsideroi “idiotizma”.

“Puthja me Jenni? Ka idiotë kudo. Kur dy njerëz japin një shfaqje të vogël dashurie, nuk mund të dëgjojmë idiotësitë. Ne jemi kampionë dhe kjo ka rëndësi”, tha ai.

Spanja fitoi për herë të parë Botërorin e Futbollit të Femrave duke mundur 1 me 0 Anglinë. /tvklan.al