Eda Zari, këngëtarja e cila i emocionon të gjithë ata që e duan muzikën Jazz, do të sjellë më 28 Tetor një koncert tepër të veçantë “Fjala dhe tingulli si një Palimpsest”. Ky koncert ndërthur muzikën me poezitë e shkrimtarit shqiptar Lasgush Poradeci dhe atij gjerman Heinrich Heine. 

Por pse pikërisht një koncert me pozitë e këtyre poetëve? Eda Zari e ka zbuluar arsyen tek emisioni “Rudina” në Tv Klan, ku ka rrëfyer se ky është një sekret, por Lasgushi është një dashuri e vjetër e saj.

Madje pas kërkesës së Rudina Magjistarit për një improvizim, Eda Zari nuk ngurroi aspak dhe këndoi një nga poezitë më të bukura dhe më romantike të Lasgushit, “Prandaj”.

Rudina Magjistari: Pse pikërisht Lasgush Poradecin dhe Heinrich Heine, pse këta dy poetë?

Eda Zari: Është një gjë  shumë e rrallë, sepse kemi një poet që këndon një poet. Lasgush Poradeci ka përkthyer veprën e Heinrich Heine, në një moment kur letërsia gjermane në atë nivel përkthimi nuk kishte qasje në Shqipëri. Lasgushi ka studiuar në Austri dhe si i tillë është po aq mjeshtër i fjalës gjermane, gati-gati e ka baraz me gjuhën shqipe. Gjermanishtja ka një metrik të caktuar dhe teksa marrim fjalën e  Lasgushit dhe e vëmë karshi asaj të Heinrich Heine, janë si dy letra kalk që rrinë bukur me njëra-tjetrën dhe nuk i  marrin aspak vlerën. Ishte një dashuri! Kjo ishte ndoshta një sekret, por ishte një dashuri e vjetër mes meje dhe fjalës së Lagush Poradecit, ndaj mendova se ka ardhur koha t’i qasemi ndryshe fjalës së tij, me uri, sqimatari dhe për të bërë një ngjizje ndryshe./tvklan.al