Prej disa orësh forca të ndërhyrjes së shpejtë, ato Renea dhe Delta Force janë në kërkim të autorit të masakrës me 8 të vrarë në fshatin Resulaj të Vlorës.

Ridvan Zykaj ky që shihni në këtë foto pasditen e së premtes qëlloi me breshëri kallshnikovi të afërm të duke shuar 3 familje. 24-vjeçari zbrazi plot dy karikatorë mbi vëllain e gjyshit të tij Demir Zykaj dhe gruan e 75-vjeçarit, Perije Zykaj. Viktima mbetën edhe dy djemtë e Demirit, Azem dhe Besim me nuset Afërdita dhe Vasilika si dhe fëmijët e Besimit Sara Zykaj 16 vjeç dhe Ledion Zykaj 8 vjeç.

Viktimat:

Demir Zykaj 75 vjeç

Perije Zykaj 72 vjeçe

Azem Zykaj 45 vjeç

Aferdita Zykaj 42 vjeçe

Besim Zykaj 43 vjeç

Vasilika Zykaj 42 vjeçe

Sara Zykaj 16 vjeçe

Ledion Zykaj 8 vjeç

Rrethanat e kësaj ngjarje janë ende të paqarta, por dyshimet e para flasin për një grindje të çastit mes tij dhe kushërinjve.

Policia e Vlorës ka sqaruar se bëhet fjalë për një person tepër të rrezikshëm dhe u kërkoi qytetarëve që në rast konstatimi t’i shmangen përpalljes me autorin, i cili dyshohet se është i armatosur.  Të shokuar banorët thonë se nuk kishin vënë re përplasje mes dy familjeve.

Të parët që u shoqëruan në polici ishin prindërit e autorit, të cilët mund të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes. Forca të shumta po krehin zonën për kapjen e 24-vjeçarit që ka mundur t’i fshihet policisë, i favorizuar dhe nga errësira por edhe nga fakti se e njeh mirë terrenin e zonës.

Në vendngjarje mbërriti të në orët e vona të së premtes edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i shoqëruar nga krerët më të lartë të policisë. Blutë kanë kërkuar nga çdo banor i zonës që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e autorit të informojë policinë në ruajtje të anonimatit.

Tv Klan