Policia e Tiranës ka arrestuar dy ekzekutuar e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Memli Begalla, ngjarja e ndodhur më 14 Shkurt në rrugën “Nikolla Tupe” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Të dyshuarit janë Denis (Alban) Demiri 43 vjeç dhe Ardian Serezi 49 vjeç, të dy nga Tirana. Ata u arrestuan mëngjesin e sotëm gjatë një operacioni të organizuar të uniformave blu.

Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se Denis Demiri ka kryer ekzekutimin e biznesmenit Begalla. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima.

Policia ka sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të Denis Demirit, si dhe 9 telefona celularë.

43-vjeçari Demiri që ka ndërruar emrin nga Denis në Alban, është person me precedent penal. Për herë të fundit ai është arrestuar në vitin 2012, kur dyshohet se po përgatiste vrasjen e një personi me të cilin kishte konflikt. Më parë ai ka qenë i dënuar edhe për vrasje të mbetur në tentativë, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Për arsye hetimore, Policia e Tiranës nuk ka dhënë të tjera detaje në lidhje me mekanizmin apo rolet si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.

/tvklan.al