Lleshaj: Operacioni do të vazhdojë në të gjithë vendin

Operacioni Forca e Ligjit iu ka dërguar kërkesë për të deklaruar pasurinë dy personazheve të njohur në Berat, të dënuar për trafik narkotikësh në Itali. Në shënjestër të oficerëve të OFL kanë përfunduar Gazmend Mahmutaj dhe Edison Çobo. Ky i fundit qëndron i arrestuar prej 2018-s në ambientet paraburgimit 313-të me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndërsa Gazmend Mahmutaj është dënuar në vitin 2000 në Itali për trafikim të narkotike. Ndërsa ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë një vizite në Elbasan ka deklaruar se Forca e Ligjit do të shtrihet në të gjithë vendin dhe brenda vitit do të kalojnë në lupën e kësaj strukture të gjithë subjektet. Lleshaj garantoi se ky operacion nuk selekton asnjë emër të veçantë.

“Operacioni Forca e Ligjit tashmë ka filluar aktivitetin në të gjithë Shqipërinë, është ende në hapat e parë, pra në fazën fillestare. Ndërkohë që do të ketë përshkallëzim të intensitetit të punës dhe të angazhimit të operacionit, në Elbasan dhe kudo tjetër. Nuk ka ndonjë objektiv selektiv, për arsye se i gjithë rrethi i personave që përfshihen nga ligji tashmë janë të përcaktuar nga vetë ligji”.

Sipas Lleshajt, të gjitha pasuritë që do të konfiskohen nga Operacioni Forca e Ligjit pritet t’i kalojnë në administrim Ministrisë së Brendshme. Pas kësaj do të vendosen në shërbim të publikut për ndërtim shkollash, komisariatesh dhe qendra shëndetësore.

Tv Klan