16-vjeçari që humbi jetën natën e ndërrimit të viteve në lagjen Sanxhak të Laçit u qëllua me plumb. Ky është përfundimi i ekspertizës paraprake të bërë mbi trupin e të riut. Klejdi Gjeta kishte hipur në tarracën e shtëpisë së tij për të ndezur fishekzjarre, por pak minuta më pas u gjet i pajetë nga familjarët. Fillimisht u dyshua se shkak ishin bërë fishekzjarrët, por mjekët gjetën një plumb në kokën e të miturit. Sipas burime nga policia mësohet se plumbi ka qenë në rënie të lirë.

Për këtë ngjarje Policia e Kurbinit ka arrestuar 3 të rinj. Ndaj tyre, për momentin rëndon vetëm akuza e prishjes së qetësisë publike pasi mbrëmjen e 31 Dhjetorit kanë qëlluar në të njëjtën lagje me armë zjarri. Në pranga kanë rënë kushërinjtë Alban, Ernis dhe Arbër Lika të tre banues në Kurbin. Të rinjtë janë identifikuar nga një video të cilën ata e kanë publikuar në rrjetet sociale ku shihen duke qëlluar në ajër me kallashnikov.

Sipas policisë rreth orës 12:30 minuta pas mesnatës së të dielës këta tre persona kanë qenë duke lëvizur me një automjet në lagjen Sanxhak, aty ku ndodhi tragjedia. Nga makina të cilës i ishin hequr targat është qëlluar më armë. Si prova policia ka sekuestruar 19 gezhoja dhe një fishek kallashnikovi si dhe targat e makinës të cilat ishin në bagazh. Grupi hetimor thotë se ende nuk mund të konfirmojë nese ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën pasi ende nuk është gjetur arma me të cilën të rinjtë kanë qëlluar në ajër. Policia e Laçit ka shpëllur ne kërkim edhe nje tjetër 23-vjeçar që gjithashtu ka qëlluar me armë nga makina e tij natën e ndërrimit të viteve.

Tv Klan