Zbardhet vrasja e Dëfrim (Devi) Kasmit që u ekzekutua me armë mbrëmjen e së hënës më 29 Janar. Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona të përfshirë në vrasjen e tij dhe ka shpallur në kërkim një të pestë si organizator të grupit.

Në rolin direkt të ekzekutorit ka qenë shtetasi grek Efthymiou Efthymious 41 vjeç, ish-agjent i forcave speciale të Policisë Greke në periudhën 1992-2012. Personat e tjerë të arrestuar janë Elton Halipaj 36 vjeç nga Skrapari, Malvin Dinellari 30 vjeç nga Korça, Elton Hoxhallari 36 vjeç nga Tirana. Në kërkim është Aurel Hoxhallari 41 vjeç nga Tirana, organizator i atentatit mafioz.

Foto: Vrasësi i Dëfrim Kasmit, ish-agjenti special i policisë greke Efthymiou Efthymious

 

Foto: Elton Halipaj, i arrestuar

Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit. Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Dëfrim Kasmit si vrasës me pagesë, Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes dhe Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpuntor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.

Operacioni i Policisë së Tiranës nisi gjatë mesnatës me kontrolle në zonën e Kodër Mëzezit, në periferi të kryeqytetit. Aty u zbulua një banesë që shërbente si magazinë, brenda së cilës u gjetën dhe sekuestruan 2 pistoleta, njëra prej të cilave mendohet se është përdorur për vrasjen e Kasmit; 4 armë automatike; 2 snajperë; 4 pushkë automatike; 1 armë antitank me 2 predha; 1 bombë me telekomandë; tritol; 4 radio marrëse; 1 dron, dy maska dhe 110 kg kanabis sativa.

Tvklan.al ishte i pari që shkoi në vendngjarje përpara se Policia e Tiranës të dilte zyrtarisht në deklaratë për mediat.

Gazetari Spartak Koka që ndoqi nga afër operacionin, thotë se në magazinën ku u gjetën armë, municione dhe drogë, u arrestua njëri prej personave të përfshirë në vrasje.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Policia e Tiranës kanë kapur një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilit në një banesë private i janë sekuestruar lëndë eksplozive, mina me sahat, kanabis sativa, armë të llojeve të ndryshme dhe sipas të dhënave paraprake mendohet të jetë një nga autorët e ekzekutimit me armë zjarri të shtetasit Dëfrim Kasmi”,

thotë nga vendngjarja gazetari Spartak Koka.

Ndërkohë, redaksia jonë ka siguruar edhe pamje të tjera

(video më poshtë)

nga kontrollet në një banesë të dytë në periferi të Tiranës, për kapjen dhe arrestimin e organizatorit Aurel Hoxhallari.

Ekzekutimi i Dëfrim Kasmit,  29 Janar 2018

Dëfrim Kasmi, i cili kishte ndryshuar emrin në Devi Kasmi, u ekzekutua me armë mbrëmjen e së hënës më 29 Janar poshtë pallatit ku banonte në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Kanë qenë dy persona me motor të maskuar me skafandër, të cilët qëlluan për vdekje Dëfrim Kasmin. Vrasja mendohet se ka ndodhur për hakmarrje apo për prishje të pazareve të drogës. Devi Kasmi ka qenë i përfshirë në trafik kokaine në Spanjë dhe Francë.

Kush është organizatori i atentatit, Aurel Hoxhallari

Aurel Hoxhallari 41 vjeç është emër i njohur për policinë shqiptare. Ai është arrestuar edhe më 10 Janar të vitit 2015 së bashku me kushëririn e tij Amarildo Hoxhallari, si porositës të dyshuar për atentatin ndaj Pajtim Serjanit, ngjarje e ndodhur më 5 Janar 2015 në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë. Por, më 1 Shkurt 2015 Gjykata e Krimeve të Rënda i la ata të lirë për mungesë provash.

(Video: Arrestimi i Aurel Hoxhallarit në vitin 2015, i dyshuar si porositës për vrasjen e Pajtim Serjanit)

Çfarë ndodhi më 5 Janar ku u dyshua i përfshirë Aurel Hoxhallari

Policia e Tiranës ka bërë me dije zyrtarisht se atentati në Rrugën e Kavajës në Tiranë ka ndodhur rreth orës 19:40 të së hënës, ku ka mbetur i vrarë si pasojë e shkëmbimit të zjarrit shtetasi Arjanit Sterio, si dhe kanë mbetur të plagosur dy të tjerë Pajtim Serjani dhe Roland Meta, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale. Sipas policisë, fillimisht mësohet se është plagosur në pjesën e këmbës Pajtim Serjani, ndërsa gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka ndërhyrë punonjësi i policisë Roland Meta, ku më pas sulmi ka vijuar duke mbetur i vrarë Arjanit Sterio dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë.

Sipas policisë, Meta do të akuzohej për vrasje në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes, por prokuroria doli zyrtarisht me një tjetër version, duke ngritur akuzën e vrasjes me dashje. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë me dije se polici Roland Meta dhe disa persona të tjerë janë gjendur nën goditjen me armë zjarri të qëlluara nga viktima Artur Baze ose i njohur ndryshe si Arianit Sterjo. Sipas prokurorisë, në reagim të sulmit nga ana e viktimës Sterjo, ku fillimisht ka mbetur i plagosur 32-vjeçari Pajtim Serjani, personi i dyshuar Roland Meta i cili rezulton të mos ketë qenë në shërbim në atë moment i ka bërë thirrje agresorit “Ndal policia” dhe “Hidhe armën në tokë”.

Por, atentatori nuk i është bindur Metës dhe ka tentuar të largohet me vrap në Rrugën “Islam Alla” duke u ndjekur më pas nga polici Roland Meta. Gjatë ndjekjes së tij, ndërmjet këtyre dy personave mësohet se ka pasur shkëmbim zjarri nga i cili ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë Meta, i cili menjëherë është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërsa, pas mbërritjes së forcave të policisë në vendin e ngjarjes është gjetur i vdekur Arianit Sterjo. Në bazë të provave të grumbulluara gjatë hetimeve paraprake të kësaj ngjarje, prokuroria ka bërë me dije se policia ka arrestuar në flagrancë Roland Metën, pasi ka rezultuar se ai me armë zjarri ka qëlluar dhe ka vrarë viktimën Arjanit Sterjo. 

Përgatiti: Tvklan.al