Trupat e dy peshkatarëve të cilët kishin dalë për të peshkuar prej mbrëmjes së të dielës në grykëderdhjen e Vjosës, u gjetën të mbytur këtë të hënë në zonën e Delisufit. Viktimat janë Lorenc Doko 32 vjeç dhe Elson Kerri 27 vjeç. Prej orës 19 të së dielës ata kishin humbur kontaktet me familjarët. Disa ore më vonë të afërmit e dy peshkatarëve kërkuan ndihmën e policisë për gjetjen e tyre.

Njësitë e Delta force dhe Policia Kufitare, nisën kërkimet për gjetjen e trupave. Kërkimet vijuan për gjatë gjithë natës së të dielës duke u gdhirë dita e hënë, por pa rezultat. Në ndihmë të aksionit u përfshinë edhe polumbarët e RENEA-s. Fillimisht zhytësit gjetën trupin e Elson Kerrit nga fshati Delisuf, ndërsa disa orë më vonë, u gjet edhe shoku i tij Lorenc Doko.

Dy të mbyturit, kishin dalë për peshkim me një varkë me lopata, e cila dyshohet se është mbushur me ujë ose është përmbysur. Sipas hetuesve ngjarja ka ndodhur në det rreth 3 milje larg grykëderdhjes së Vjosës.

Tv Klan