Një i ri shqiptar, i cili kishte shkuar si refugjat në Britani të Madhe, është dënuar me 5 vite burgim për shpërndarje të kokainës. Klinsi Rexha 19 vjeç, u zhvendos në Angli në Maj të vitit 2016 dhe qëndronte tek kushëriri i tij Lorenc Hoxha 37 vjeç. Më pas filloi të punonte për të, duke u angazhuar në bandën e drogës që kushëriri i tij drejtonte.

Të dy u arrestuan në Qershor 2016, pasi aktiviteti i tyre kriminal mbahej nën vëzhgim nga policia. Hoxha u dënua me 12 vite burg, si drejtuesi i rrjetit të drogës, ndërsa Klinsi Rexha u dënua me 6.5 vite burg nga Gjykata e Nottingham. Ndërsa sot Gjykata e Apelit në Londër e uli dënimin e shqiptarit në 5 vite. Gjykatësi i çështjes, Anthony Leonard tha se dënimi ishte tepër i gjatë për një person që ishte 17 vjeç kur u përfshi në aktivitetin kriminal.

Kurse avokati i Klinsit argumentoi se klienti i tij nuk kishte shumë mundësi zgjedhje pasi ishte i varur ekonomikisht dhe emocionalisht nga kushëriri i tij. Sipas avokatit, 19-vjeçari bënte peshimin dhe paketimin e drogës, ndërsa në një rast të vetëm kishte punuar si ndërlidhës duke udhëtuar drejt Exeter me kushëririn e tij.

/tvklan.al