Ka zgjatur vetëm 6 minuta qëndrimi i kryeministrit maqedonas Zaev dhe ministrit të Jashtëm Dimitrov në zyrën e Presidentit Ivanov. Kreu i shtetit nuk pranoi që zyrtarët e lartë të qeverisë ta informonin për marrëveshjen e arritur të martën me Greqinë për emrin e ri të Maqedonisë.

Mediat maqedonase bëjnë të ditur se presidenti nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen pasi është kundër çdo alternative tjetër, veç emrit “Republika e Maqedonisë”.  Pas dështimit të takimit, kryeministria lëshoi një deklaratë ku i bëhej thirrje të gjitha forcave politike të mbështesin marrëveshjen për përparimin e vendit në proceset euro-atlantike. Edhe kreu i opozitës Kristian Miçkovski është kundër marrëveshjes dhe kërkoi nisjen e një dialogu të gjerë politik.

Por marrëveshja që e njeh vendin si Republika e Maqedonisë Veriore u përshëndet nga faktori ndërkombëtar. Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini e quajti marrëveshjen “historike” ashtu si edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se zgjidhja e çështjes së emrit i hap rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në aleancën veri-atlantike.

Tv Klan