Tvklan.al ka zbuluar identitetin e personit të shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës në lidhje me magazinën e drogës, armëve dhe municioneve.

I shpalluri në kërkim është Aurel Hoxhallari 41 vjeç. Hoxhallarit po hetohet edhe si i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e Dëfrim Kasmit, por sipas burimeve nga policia është herët për të dalë në një konkluzion të tillë. Armët e sekuestruara janë dërguar me shpejtësi drejt laboratorit të Policisë Shkencore për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në vrasjen e Dëfrim Kasmit.

Aurel Hoxhallari është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar edhe më 10 Janar të vitit 2015 së bashku me kushëririn e tij Amarildo Hoxhallari, si porositës të dyshuar për atentatin ndaj Pajtim Serjanit, ngjarje e ndodhur më 5 Janar 2015 në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë. Por, më 1 Shkurt 2015 Gjykata e Krimeve të Rënda i la ata të lirë për mungesë provash.

Ekzekutimi i Dëfrim Kasmit,  29 Janar 2018

Dëfrim Kasmi, i cili kishte ndryshuar emrin në Devi Kasmi, u ekzekutua me armë mbrëmjen e së hënës më 29 Janar poshtë pallatit ku banonte në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Kanë qenë dy persona me motor të maskuar me skafandër, të cilët qëlluan për vdekje Dëfrim Kasmin. Vrasja mendohet se ka ndodhur për hakmarrje apo për prishje të pazareve të drogës. Devi Kasmi ka qenë i përfshirë në trafik kokaine në Spanjë dhe Francë.

 

Njoftimi i Policisë

Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan me sukses goditjen e grupit të strukturuar kriminal “Enigma”, ku u arrestuan në flagrancë shtetasit:

  1. Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë;

  2. Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta Greqi;

  3. Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë;

  4. Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Ky operacion është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 29 Janar 2018, ku në rrugën “Petro Çani” u vra me armë zjarri shtetasi Defrim Kasmi

Shtetasi i shpallur në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Shtetasi Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të shtetasit D.K. si vrasës me pagesë.

 Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Shtetasi Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Shtetasi Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpuntor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.

Gjatë këtij operacioni të mirë-organizuar janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në këtë vilë është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.

Gjatë operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes.

Në videon që shikoni më poshtë, janë pikërisht kushërinjtë Aurel dhe Amarildo Hoxhallari kur u arrestuan në Janar të 2015-s. Dy kushërinjtë Hoxhallari kishin porosituar Artur Bazen për të eliminuar Pajtim Serjanin. Baze u vra më pas nga miku i Serjanit, efektivi Roland Meta.

Burime konfidenciale nga policia thonë për tvklan.al se në shtëpinë që përdorej si magazinë u sekuestrua rreth 300 kg kanabis sativa, arsenal armësh dhe minash të telekomanduara.

05.01.2015 – Atentati te Rruga e Kavajës

Policia e Tiranës ka bërë me dije zyrtarisht se atentati në Rrugën e Kavajës në Tiranë ka ndodhur rreth orës 19:40 të së hënës, ku ka mbetur i vrarë si pasojë e shkëmbimit të zjarrit shtetasi Arjanit Sterio, si dhe kanë mbetur të plagosur dy të tjerë Pajtim Serjani dhe Roland Meta, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale. Sipas policisë, fillimisht mësohet se është plagosur në pjesën e këmbës Pajtim Serjani, ndërsa gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka ndërhyrë punonjësi i policisë Roland Meta, ku më pas sulmi ka vijuar duke mbetur i vrarë Arjanit Sterio dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë.

Sipas policisë, Meta do të akuzohej për vrasje në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes, por prokuroria doli zyrtarisht me një tjetër version, duke ngritur akuzën e vrasjes me dashje. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja polici Roland Meta dhe disa persona të tjerë janë gjendur nën goditjen me armë zjarri të qëlluara nga viktima Artur Baze ose i njohur ndryshe si Arianit Sterjo. Sipas prokurorisë, në reagim të sulmit nga ana e viktimës Sterjo, ku fillimisht ka mbetur i plagosur 32-vjeçari Pajtim Serjani, personi i dyshuar Roland Meta i cili rezulton të mos ketë qenë në shërbim në atë moment i ka bërë thirrje agresorit “Ndal policia” dhe “Hidhe armën në tokë”.

Por, atentatori nuk i është bindur Metës dhe ka tentuar të largohet me vrap në Rrugën “Islam Alla” duke u ndjekur më pas nga polici Roland Meta. Gjatë ndjekjes së tij, ndërmjet këtyre dy personave mësohet se ka pasur shkëmbim zjarri nga i cili ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë Meta, i cili menjëherë është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërsa, pas mbërritjes së forcave të policisë në vendin e ngjarjes është gjetur i vdekur Arianit Sterjo. Në bazë të provave të grumbulluara gjatë hetimeve paraprake të kësaj ngjarje, prokuroria ka bërë me dije se policia ka arrestuar në flagrancë Roland Metën, pasi ka rezultuar se ai me armë zjarri ka qëlluar dhe ka vrarë viktimën Arjanit Sterjo. /

tvklan.al