Një 24-vjeçar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pranuar se është mbështetës i ISIS. I akuzuar për terrorizëm, ai pranoi akuzat në Gjykatën e Manhatanit në SHBA, duke u vetëshpallur fajtor.

Bëhet fjalë për Sajmir Alimehmeti ose i njohur me emrin Abdul Qawii, i cili akuzohet se ka ofruar mbështetje materiale ndaj ISIS dhe ka tentuar të falsifikojë pasaporta për persona të tjerë, me qëllim që të udhëtonin drejt Lindjes së Mesme.

Prokurori amerikan Geoffrey S. Berman tha para gjykatës se Sajmir Alimehmeti do të udhëtonte në Siri që të luftonte për organizatën terroriste të ashtuquajtur “Shteti Islamik”.

“Sikurse e pranoi në Gjykatë, Sajmir Alimehmeti ndërmori veprime për të udhëtuar jashtë shtetit që të mbështeste fushatën terroriste të ISIS. Ai bleu edhe armë ushtarake dhe i ofroi ndihmë një personi tjetër që të merrte dokumente false për të udhëtuar drejt Sirisë dhe të luftonte me ISIS. Falë Task-Forcës së përbashkët FBI-NYPD (Departamenti i Policisë së Nju Jorkut) kundër terrorizmit, Alimehmeti tani pret që të dënohet për krimet e tij, atë të mbështetjes së një organizate terroriste”,

tha prokurori.

Si u zbulua Sajmir Alimehmeti

Në Tetor të vitit 2014, Sajmir Alimehmeti tentoi të hynte në Britaninë e Madhe, por iu ndalua hyrja nga autoritetet britanike pasi i gjetën veshje ushtarake dhe kamzhikë në valixhe. Dy muaj më vonë, në Dhjetor 2014 ai tentoi sërish të shkonte në Britani por iu refuzua sërish hyrja. Kësaj radhe, autoritetet angleze zbuluan fotografi të flamurit të ISIS në telefonin e tij. Pas ekzaminimeve të hollësishme të kompjuterit dhe celularit të Alimehmetit, u zbuluan materiale të shumta që tregonin mbështetjen e tij për ISIS, si dhe u gjet një fotografi e tij me flamurin e Shtetit Islamik në sfond. Përgjimet e autoriteteve mësuan se Sajmir Alimehmeti kishte komunikuar me një person i cili po tentonte të shkonte në Siri, duke i ofruar ndihmë për t’i lehtësuar udhëtimin.

Pasi u kthye sërish në SHBA, Alimehmeti vazhdoi të mbështeste ISIS dhe në banesën e tij në Bronx kishte vendosur një flamur të organizatës terroriste. Aktiviteti i tij i dyshimtë në Amerikë monitorohej vazhdimisht nga agjentë të fshehtë, të cilët mbanin të regjistruara çdo takim të Alimehmetit. Përgjimet e kompjuterit dhe celularit të shqiptarit, zbuluan se ai po interesohej të radikalizonte persona të tjerë që jetojnë në zonën e Bronxit në SHBA. Ai madje kishte blerë pajisje të shumta ushtarake, të tilla si maska, pranga, sharrë me zinxhir, çantë ushtarake etj. Të gjithë këto sende i kishte fshehur në apartamentin e tij në Bronx, të Shteteve të Bashkuara.

Në Tetor 2015 ai bëri kërkesë për një pasaportë të SHBA, me pretendim se pasaporta i kishte humbur. Por më vonë Alimehmeti ndryshoi pretendim duke thënë se nuk i kishte humbur pasaporta, por refuzimi që kishte marrë më parë do e penalizonte për udhëtimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa më vonë ai i tha një agjenti të infiltruar të FBI-së se ishte duke kërkuar për pasaportë të re, pa pullat e refuzimit, për të lehtësuar udhëtimin e tij jashtë shtetit për t’u bashkuar dhe luftuar për ISIS. Në maj të vitit 2016, Alimehmeti u përpoq të ndihmonte një person i cili me sa duket po udhëtonte nga Nju Jorku në Siri për të trajnuar dhe luftuar me ISIS-in, por që ishte në fakt agjent i infiltruar. Më 17 Maj 2016, Alimehmeti u takua me agjentin në Manhatan. Ata ranë dakord me njëri-tjetrin përpara nisjes së udhëtimit dhe Alimehmeti e ndihmoi atë për të bërë furnizimet e nevojshme në mënyrë që ti përdorte gjatë udhëtimit si dhe luftimeve me ISIS. Ai mori, celular, një busull, elektrike dore, por ndër të tjera Alimehmeti i tha disa këshilla agjentit. Kodet që ai duhet të përdorte gjatë komunikimi, duke përfshirë dhe ato që ai po përdorte aktualisht me përkrahësit e tjerë të ISIS, që sipas Alimehmeti quheshin “vëllezërit”.

Ai gjithashtu i shkarkoi tri aplikacione të koduara në celularin e ri të blerë nga agjenti. Më tej, Alimehmeti e ndihmoi agjentin e fshehtë në udhëtimin nga Manhattan në një hotel në Queens, kështu që ai mund të takohej me një person, i cili po përgatiste dokumente e udhëtimi që agjentit i infiltruar do të përdorte për të udhëtuar në Siri për t’u bashkuar me ISIS. Alimehmeti i dha agjentit një copë letre me emrin dhe informacionin e kontaktit. Alimeheti i shpjegoi se dhe ai gjithashtu donte të udhëtonte në Siri dhe të bashkohej me ISIS, duke deklaruar se “

unë jam gati për të. . . me ty njeri. . . ju e dini unë do. Unë jam bërë për këtë vend”.

Pas largimit nga hoteli në Queens, Alimeheti e dërgoi agjentin në aeroportin F. Kennedy përmes transportit publik. Brenda disa ditësh duke kërkuar të lehtësonte udhëtimin e agjentit të infiltruar për t’u bashkuar me ISIS-in, Alimehmeti telefonoi vëllain e tij në në Shqipëri dhe i tha se kishte mësuar një mënyrë të re për të marrë një pasaportë për udhëtimin e tij (duke iu referuar agjentit) dhe se një “mik i tij” e kishte marrë dy ditë më parë.

Pas arrestimit të Alimehmeti, në Maj të vitit 2016 FBI ekzekutoi një urdhër nga gjykata për të kontrolluar apartamentin e tij, ku gjatë kontrollit u sekuestrua, një laptop dhe një celular që i përkasin Alimehmeti-t ku në to kishte një sërë materialesh që tregonin besnikërinë e tij ndaj ISIS dhe ideologjisë terroriste, flamurin e ISIS, fotografitë e Alimehmetit me një flamur ISIS dhe bërjen e gjesteve përkrahëse të ISIS-it, imazhet e luftëtarëve ISIS jashtë shtetit, videot propaganduese që promovonin dhe lavdëronin ISIS-in, duke përfshirë videot që përshkruajnë luftëtarët e ISIS-it të angazhohen në luftime dhe në rreshtimin e të burgosurve; një koleksion thikash luftarake dhe pajisje të tjera ushtarake që Alimehmeti kishte blerë dhe ruajtur në banesën e tij.

Në hetimet për 24-vjeçarin Sajmir Alimehmeti ka ndihmuar edhe drejtoria Antiterror e Policisë së Shtetit, e cila ka bashkëpunuar dhe ka shkëmbyer informacion me autoritetet amerikane. Vendimi i Gjykatës së Mahnatanit për dënimin e shqiptarit është planifikuar që të jepet më 7 Qershor 2018. Sipas ligjeve amerikane, akuza për mbështetjen e një organizate terroriste është 20 vite burg dhe ajo e udhëtimit jashtë vendit për t’iu bashkuar e luftuar me organizatën terroriste, ka një dënim maksimal prej 25 vitesh./

tvklan.al