Luzi: Te hiqet emri nga lista e kandidatëve! Kume: Lista s’mund të ndryshojë

Kodi Zgjedhor ndalon ndryshimet në listat e kandidatëve pas miratimit përfundimtar të tyre, por ndarja nga jeta e deputetit socialist Bashkim Fino, i cili renditet i 4 në listën e qarkut të Fierit krijoi një situatë të pazakontë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar si opsion heqjen e emrit të deputetit të ndjerë dhe lënien bosh të numrit 4 në listën e Fierit.

 “Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar këtë problem kur kërkon që pasi lista e kandidatëve dorëzohet dhe miratohet nga KQZ, ajo nuk mund të ndryshojë më. Cilado qoftë aryseja e largimit e njërit apo tjetrit nga kandidatët e listës, subjketi zgjedhor nuk ka fuqi ligjore për të ndërhyrë në listë. Subjekti duhet vetëm të sqarojë njerëzit e zonës se çfarë ka ndodhur me kandidatin e tij,” u shpreh eksperti zgjedhor Kristaq Kume.

Ndërsa, ekspertja Lefterie Luzi tha se : “Duke qenë para faktit se nuk kemi miratuar fletën e votimit, po të duan partitë politike, o të hiqet emri ose ai emër të zëvëndësohet nga subjekti politik që ka të drejtën e zëvëndësimit të një emri. Kjo nuk është e bazuar ligjërisht po meqë fleta e votimit nuk është miratuar akoma mund të bëjnë një nga këto sugjerime”.

Nëse një situatë e ngjashme do të ndodhte në qarkun e Kukësit, rrezikohej plotësimi i parlamentit pasi në këtë qark nuk ka rezerva mjaftueshëm për përfaqësim duke qenë se Kolegji Zgjedhor vendosi që lista me kandidatë të mos ketë më shumë se tre emra, aq kandidatë sa nxjerr ky qark.

Kur na ndajnë më pak se një muaj nga data e zgjedhjeve, KQZ ende nuk ka vedosur për modelin e fletës së votimit. Dy ekspertët zgjedhor thonë njëzëri se kandidatët duhet të jenë të renditur me numra.

“I gjithë diskutimi për formatin e fletës së votimit është energji e shpenzuar pa bereqet. Nëse do vendoset që fleta e votimit të jetë me emra, në veçanti në zonën e Tiranës do kemi një fletë votimi e cila psikologjikisht të tremb,” tha Kume.

“Ndër ato modele që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë, unë jam me variantin që të jetë me numra për faktin se zgjedhësi shqiptar tashmë është mësuar në zgjedhjet pararendëse me këtë formë votimi dhe do ishte më e lehtë për ta që kjo fletë votimi të përmbante numra,” u shpreh ekspertja Luzi.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pritet të publikojë modelin e fletës së votimit, për të cilën sërish do duhet konsesusi mes palëve politike.

Klan News