Një 23-vjeçar ka alarmuar policinë italiane pasi u arratis nga spitali ku po mjekohej. Sipas mediave të vendit fqinj, ai quhet David De Gaetano, është me origjinë nga Shqipëria dhe banues në Romë. Shqiptari ishte arrestuar pas një ndjekje të gjatë nga policia në Spoltore.

Autoritetet u vunë pas tij për vjedhjen e një makine “Audi A6” nga ana e shqiptarit. Ky i fundit nuk i ndaloi policisë, por ecte me shpejtësi të lartë. Agjentët u detyruan të qëllonin me armë për ta ndaluar. 23-vjeçari humbi kontrollin e makinës dhe mbeti i plagosur. Ai u dërgua për mjekim në spitalin e Chieti dhe ruhej nga oficerët.

Gjatë qëndrimit në spital, De Gaetano planifikoi që të arratisej. Ai thërriti infermieren duke i kërkuar ndihmë dhe më pas sulmoi dy policët që bënin roje në dhomën e tij. Janë të paqarta rrethanat e sakta si ndodhi sulmi, por mediat italiane shkruajnë se dy oficerët kanë pësuar lëndime dhe ndodhen të shtruar në spital. 23-vjeçari mundi të arratisej pa lënë gjurmë. Policia italiane nisi menjëherë kërkimet për gjetjen e tij.

Autoritetet publikuan në media një foto të shqiptarit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nëse e shohin pasi është i rrezikshëm dhe të lajmërojnë menjëherë policinë për vendndodhjen e tij. Mediat shkruajnë se ai është 1 metër e 83 cm i gjatë dhe ka shenja në fytyrë për shkak të plagosjes

. /tvklan.al