Gjykata e Kardifit në Britani të Madhe ka dënuar me 14 muaj burg një grua shqiptare, e cila përdorte identitet të rremë për të bërë transplant veshke. Mediat angleze shkruajnë se 31-vjeçarja Fatmira Tafa përdorte dokumente greke të falsifikuara me emrin Eleni Manola.

Ajo kishte shkuar në Britani të Madhe, e fshehur në pjesën e pasme të një kamioni. Kur mbërriti në shtetin ishullor, aty mori dokumente false greke, në mënyrë që të bënte transplant të veshkave në Spitalin Universitar të Uellsit në Kardif. Ky transplant kushtonte 72 mijë Paund. Pasi u zbulua mashtrimi i saj, 31-vjeçarja përfundoi në Gjykatë në Tetor të vitit 2016.

Para Gjykatës ajo tha se ishte njohur në internet me një person të quajtur Ndriçim Bengasi, me të cilin krijoi lidhje. Sipas Fatmirës, ajo besonte se Ndriçim Bengasi do ta ndihmonte për të marrë dokumente ligjore, por nuk ndodhi kështu pasi personi në fjalë ishte larguar. Gjithashtu, nëpërmjet ambasadës greke në Londër është vërtetuar se identiteti Eleni Manola është një person i vërtetë. Ndërkohë, avokati mbrojtës i shqiptares tha në Gjykatë se “veprimet e saj ishin për të shpëtuar jetën. Shqipëria nuk ka shërbim shëndetësor falas.

Ajo po përballej me vdekjen dhe nëse nuk do të kishte ndërmarrë vendimin për t’u operuar, kush e di ku do të ishte tani”. Megjithatë, gjyqtari Jeremy Jenkins deklaroi se pavarësisht situatës së rëndë shëndetësore në të cilën gjendej, falsifikimi i dokumenteve është një vepër penale që nuk tolerohet. Për këtë arsye, Gjykata e dënoi Fatmira Tafën me 14 muaj burgim.

/tvklan.al