Mediu: Nuk po i bëj pazar. Nuk ka sens të shkatërrohet PR

Teksa afati i regjistrimit të koalicioneve në KQZ afron, Lulzim Basha ende nuk ka një marrëveshje me aleatin historik të demokratëve, Partinë Republikane.

Fatmir Mediu, nuk mohon vështirësinë e këtyre negociatave, por thotë se dakordësia me kreun e opozitës duhet të bazohet mbi vlerësimin e rezultateve elektorale në nivel kombëtar dhe rajonal ndër vite të partisë që ai drejton.

“Nga 91 deri në vitin 2013 në nivel kombëtar Partia Republikane ka pasur 50 mijë vota dhe ajo çka unë po them është që ne do të bëjmë një përllogaritje logjike se ku është vendi i PR”.

Refuzon ta cilësojë pazar marrëveshjen me aleatin 30-vjeçar, Partinë Demokratike, duke thënë se dalja me liste të përbashkët e ka penalizuar jo pak si forcë politike.

“Nuk i bëj pazar. Pazar do ishte nëse unë do i thoja PD dua të kem 4-5 njerëzit e mi dhe këtu mbyllet historia me njëri-tjetrin”.

I fundit opsion që sheh është dalja më vete, por Lulzim Bashës nuk harron t’i kujtojë peshën elektorale të republikanëve në qarqet kryesore, që në zgjedhjet e kaluara kanë prodhuar deputetë në kuvend.

“Nuk kam vajtur tek ideja të dal më vete. Ne jemi në një koalicion, jemi në një marrëdhënie 30 vjeçare, por jemi parti më vetë, jemi Partia Republikane. Po ta shikosh, PR historikun e saj elektoral me PD, po të marr vitin 2013 ka 4 deputetë. Nëse pretendohet që të fitojmë zgjedhjet dhe të shkatërrohet Partia Republikane, kjo është një gjë që nuk ka sens”.

Ndaj dhe pritshmëritë i ka të mëdha. Kalkulimet thotë se i lejojnë që nga radhët e ekipit që drejton të marrë edhe dy mandate deputetësh në Qarkun e Tiranës.

“Është e mundshme që ne të arrijmë të marrim 2 mandate”.

Deri më tani Lulzim Basha ka mbyllur marrëveshjen me disa prej aleatëve të tij, si Agron Dukën e Agraro Ambientalistëve, kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi dhe demokaristianin Nard Ndoka.

Tv Klan