Në vitin 1886 Koli Kristofori mbërriti në SHBA, por nuk u regjistrua dot si shqiptar. Banori i perandorisë osmane njihet gjithsesi si shqiptari i parë që emigroi përtej detit. Në vitin 1876 një patriot i tij kishte hyrë po ashtu në Neë York, por emri nuk dihet me saktësi, siç dihet që 4 vjet më pas ai iku nga SHBA për të emigruar në Argjentinë.

Koli Kristofori qëndroi pak vjet dhe u kthye sërish në fshatin e tij në Korçë i veshur me rroba të bukura dhe dhurata për të gjithë. U prit me shumë nderime dhe u nis sërish për në botën e re së bashku me 16 bashkëpatriotë të tij.

Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të hsekullit të 20-të një numër shqiptarësh, kryesisht ortodoks nga zona e Korçës, u vendosën në SHBA. Pas vitit 1914 ata nisën të regjistrohen si shqiptarë dhe në vitin 1919 sipas të dhënave, nurmi i shqiptarëve në Amerikë ishte 30000 persona, nga të cilët 1 mijë ishin gra.

Shumica e tyre linin në atdhe familjet, ku mendonin të ktheheshin pasi të fitonin një lloj pasurie, por siç rezulton pak prej tyre u kthyen mbrapsht. Ata filluan të organizohen, siç ndodhi me Federatën Panshqiptare Vatra, që u themelua në vitin 1912 dhe që këtë vit mbushi 100 vjet, apo botuan shtypin e tyre si gazetat Kombi dhe Dielli, që botohet ende që nga 1908.

Emigracioni në SHBA ishte i vështirë. Një prej emigrantëve dëshmon se rruga nga Boboshtica në Neë York ishte thuajse 57 ditë në itinerarin Korçë-Manastir-Selanik-Athinë-Napoli-Neë York. Por në mes të dy luftërave komuniteti shqiptar filloi të konsolidohet dhe të organizohet.

Vatra luajti një rol të madh në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Ajo ndihmoi financiarisht me njerëz dhe dërgoi në Shqipëri bandën e famshme të Vatrës në një batalion me 300 vullnetarë që morën pjesë në luftën e Vlorës.

Emigracioni shqiptar në SHBA u ndërpre thuajse fare në vitet e regjimit komunist, por në mes të viteve ’60 drejt SHBA emigruan shqiptarët e ish-Jugosllavisë që u shtuan në numër dhe sot përbëjnë komunitetin kryesor shqiptar në SHBA, pa llogaritur pasardhësit e arbëreshëve që dominojnë ende.

Pas vitit 1991 emigracioni shqiptar drejt Amerikës vijoi sërish, ku forma kryesore ishte llotaria amerikane. Prioritet kanë gjithnjë ata njerëz dhe familje që kanë një lidhje me SHBA. Nga viti 1990 deri në 1995 afro 7000 shqiptarë morën leje qëndrimi.

Emigracioni pas vitit ’91 është kryesisht për çështje ekonomike apo studimi. Pjesa më e madhe e shqiptarëve synon të shkollohet ose të shkollojë fëmijët e tyre, në dallim nga brezi tjetër që synonte biznesin.

 Në rreth 125 vite të emigracionit shqiptar në SHBA, një numër personalitetesh të atij vendi janë edhe me origjinë nga Shqipëria, ndërsa nuk ka ende një politikan të lartë me origjinë shqiptare.

Në kulturë dhe fusha të tjera janë përmendur shumë emra si vëllezërit aktorë James dhe Jim Belushi, aktorja Eliza Dushku, nobelisti Ferit Murati apo astronauti William Gregory. Me origjinë të mirëfilltë shqiptare është edhe ish-shefi i CIA-s George Tenet, i cili e njeh veten për grek.

Interesi i shqiptarëve për të emigruar në SHBA vijon të jetë ende i lartë. Sipas të dhënave të shtypit, llotaria amerikane është një ndër llotaritë më të përhapura në Shqipëri edhe pse numri i hsqiptarëve që pranohen është shumë i vogël sesa kombësitë e tjera që përfitojnë të drejtën e qëndrimit në SHBA.

Për të diskutuar mbi ëndrrën amerikane të shqiptarëve në emisionin “Opinion” ishin të ftuar ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA Fatos Tarifa, pedagogia Valentina Duka, politikani Gjergj Bojaxhi, eksperti i emigracionit Kosta Barjaba, prezantuesja Florjana Garo dhe këngëtarja Aurela Gaç.

Në pjesën e tretë ndoqët intervistën me shefen e Zyrës Konsullore të Ambasadës së SHBa në Tiranë, e cila rrëfeu me detaje  sesi funksionon llotaria amerikane./tvklan.al