Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka ëndërr bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën.

“E ëndërroj atë ditë kur Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës.”

Por duke folur në një intervistë për median KosovaPress, kryeparlamentari shpjegon se propozimi për bashkim me Kosovës ka lindur si rezultat i kushteve të këqija, në të cilat Serbia i ka lënë banorët shqiptarë.

“Nuk jam duke e cënu integritetin territorial të Serbisë. Por i themi Serbisë trajtoni shqiptarët tanë, vëllezërit tanë, qytetarë tuaj, ashtu siç i trajtojmë ne serbët në veri edhe mos i cenoni, mos i degradoni, mos i dëboni, për arsye se na u ka mbushë Fushë-Kosova e Gjilani me qytetarë.”

Në kushtet kur klasa politike kosovare është e përçarë për mënyrën se si duhet shtruar dialogu me Serbinë, Veseli bën thirrje për bashkim.

“Ne duhet të bëhemi të gjithë bashkërisht ta mundim atë që është duke cenuar veriun e Kosovës, është duke cenuar sovranitetin dhe unitarizmin e shtetit tonë. Serbia ka pretendime të qarta: ta zhbëjë shtetin e Kosovës, në qoftë se nuk mund ta zhbëjë, ta neutralizojë veprimet e shtetit tonë të pavarur e sovran.”

Kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi sërish qëndrimin e tij kundër ndarjes së Kosovës, ndërsa thotë se Prishtina duhet të ketë një qëllim të vetëm, të fitojë betejën për një vend në OKB.

Tv Klan