Ajkena, vajza e buzëqeshur dhe plot energji në “Ka Një Mesazh Për Ty” ndërthur bashkë tri kultura. Ajo lindi në Kavajë ku jetoi deri në moshën 4-vjeçare dhe më pas familja u shpërngul në Itali. Si çdo familje emigrantësh, vështirësitë nuk mungonin. 

Ajkena tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan sesi prindërit përpiqeshin të bënin nga dy punë që asaj dhe dy vëllezërve mos t’u mungonte asgjë. Në moshën 18-vjeçare, për Ajkenën lindi një ëndërr: universiteti në një vend që ofron më shumë mundësi. Nëna e saj nuk kishte mundur ta realizonte, ndaj Ajkena i kërkoi që ta lejonte të shkonte në Gjermani dhe ajo nuk e pengoi.

Ajkena: Kur i thashë mamit unë po iki në Gjemani, më duhet një shtet më i zhvilluar për jetën që unë  imagjinoj të bëj dhe ajo më kuptoi menjëherë dhe e dinte që të tjerët nuk do të ishin dakord dhe më tha nëse ti do këtë dhe nëse ti mendon që kjo është gjëja më e mirë për jetën tënde, unë do të jem prapa teje, gjithmonë! Kur mami më tha ashtu, për mua ishte…

Ardit Gjebrea: Të dha gjithë botën! Siç dinë ta japin nënat!

Ajkena: Pastaj kur ia thamë babit dhe tezet e mia, dajat e ata nuk e kuptonin, më thoshin ne nuk i bëjmë këto gjëra, duhet të rrish te familja, nuk më kuptonin.

Fillimet e Ajkenës në Gjermani nuk ishin më pak sfiduese. Ajo ishte e vendosur për të mësuar gjuhën sa më shpejt dhe të hynte në universitet. Realizimi i kësaj ëndrre ishte arritja më e madhe për të sepse ia dedikon gjithçka nënës.

Ajkena: Mami bëri një marrëveshje me babin dhe tha që nëse ne e lëmë gocën të shkojë në Gjermani sepse unë kur shkova në Gjermani nuk dija mirë çfarë të bëja, si ta bëja si ta mësoja gjermanishten sepse nuk dija asnjë fjalë në gjermanisht, por unë  vetëm dija që duhet të studioja atje. Mësuesja ime, unë fola  me atë çfarë opsioni kisha për të studiuar në Gjermani dhe ajo më tha që mund të bësh si një babysitter që ti jeton në një familje, pra unë në një familje gjermane dhe i ndihmoja me fëmijët t’i çoja në shkollë, në kopsht, t’i mësoja detyrat.

Ardit Gjebrea Dhe kështu mësoje edhe gjuhën.

Ajkena: Edhe kështu mësova edhe gjuhën dhe takova një familje të mrekullueshme që për mua sot janë familja e dytë.

Ardit Gjebrea Paske pasur fat!

Ajkena: Shumë njerëz thonë që kam pasur fat. Unë them që ka qenë një miks mes fatit dhe… se edhe për mua ishte një realitet i ri të mësoja të bëja punët e shtëpisë se isha mësuar që mami bënte gjithçka.

Ardit Gjebrea Për sa kohë e bëre këtë?

Ajkena: E bëra për 6 muaj dhe ndërkohë që mësoja, shkoja edhe në kurs për gjermanishten…

Ardit Gjebrea Për 6 muaj mësove gjuhën?

Ajkena: Mësova gjuhën. Mësoja shumë, ditë e natë por këtu e kuptova edhe njëherë gjithë sakrificat që mami bëri për mua sepse kur unë vendosa të shkoja në Gjermani, mami pastaj filloi të bënte një punë të dytë…

Ardit Gjebrea Për  ty.

Ajkena: Për mua dhe unë doja ta shpërbleja dhe t’i thoja mami, unë këtë që po bëj tani, me sakrificat e mia të vogla e bëj që të realizoj ëndrrën tënde.

Ardit Gjebrea Po tani kjo ëndrra  jote, si vazhdoi? U fute në shkollë, vazhdove studimet?

Ajkena: Po. Për të hyrë në universitet në Gjermani ty të duhet C1…

Ardit Gjebrea E more?

Ajkena: Kalova, po dhe kur mora mamin në telefon ajo filloi duke qarë, filluam të dyja duke qarë nga gëzimi sepse për mamin siç thashë, ëndrrën që ajo kishte e realizoi vajza e vet dhe kjo për mua ishte sikur preka qiellin në një ditë me një gisht.

Sot Ajkena është përgjegjëse në një nga kompanitë gjigante të makinave në botë, BMW./tvklan.al