Eneda Tarifa triumfon në “Kënga Magjike”

Eneda Tarifa triumfon në “Kënga Magjike”

15:52 08/12/2019

Edicioni i 21-të me moton “Këndo për të ndërtuar”

Me standardet e festivaleve të njohur ndërkombëtarë, ‘Kënga Magjike’ mbylli një tjetër edicion të suksesshëm.

Si një surprizë për të gjithë, në këtë mbrëmje të madhe nuk pati nominime dhe çmimet ishin organizuar ndryshe.

Me një tekst rrënqethës dhe një interpretim që i drithëroi zemrat jo vetëm publikut, por edhe artistëve të tjerë që e votuan, çmimi i madh u rrëmbye nga Eneda Tarifa me “Ma zgjat dorën”.

Pas një pune intensive e arritjes së trofeut, emocionet i ka edhe më të forta.

“Ndihem shumë e kënaqur që i gjithë mundi edhe puna që kam bërë për këtë këngë u kurorëzua me një çmim. Çuditërisht u përshtat edhe me situatën që po kalonim dhe njerëzit e kanë bërë le të themi si kolonë zanore të asaj që ndodhi. Jam e emocionuar, më vjen për të qarë, nuk e di si po e mbaj”.

Në vend të dytë, kënga që mori brohoritjet pa ndërprerje të publikut në sallë, “Marova” e kënduar nga Fifi.

Ndërsa vendi i tretë shkoi për Anxhela Peristerin, “Dikush i imi”.

Nga skena e Eurovisionit në skenën e festivalit ‘Kënga Magjike’, me energjinë e saj Tamara Todevska triumfoi në kategorinë e “Big International Artist”.

E rezervuar për të na treguar detaje, por duke vlerësuar këtë festival, Todevska zbuloi se po mendon për një rikthim në Shqipëri.

“Faleminderit ‘Këngës Magjike’ për këtë çmim dhe Arditit. Pata mundësinë të njoh këtu shumë artistë të mirë dhe i vlerësoj me gjithë zemër. Mezi pres të rikthehem. Po mendoj të regjistroj diçka në Shqipëri”.

Në kategorinë “New International Artist” trofeu shkoi për notat e muzikës italiane të grupit Sisma.

“Jemi shumë shumë të kënaqur, nuk e prisnim, ishtë vërtet bukur. Artistët ishin të gjithë të jashtëzakonshëm, artistë ndërkombëtarë nga e gjithë bota. Ishte një nder për ne të merrnim pjesë e mbi të gjitha të fitonim. Mendoj që ky festival është vërtetë një makinë e drejtuar nga një lider si Arditi dhe stafi i madh i tij”.

Historia e tij personale e sjellë në skenë i dha këngëtarit nga Kosova Khuba çmimin që nuk e priste: “New Artist”.

“Hiç nuk e kam prit. Njëherë nuk e kam prit me hy në finale e veç shijova skenën”. 

Një festival plot gjurmë dhe histori, që Ardit Gjebrea di si ta ngrejë artistikisht vit pas viti.

‘Kënga Magjike’ në këtë edicion të 21 erdhi si një urë lidhëse e artit dhe humanitetit, duke bërë që e gjithë vëmendja t’i dedikohej vetëm një qëllimi, misionit “këndo për të ndërtuar”.

“Nuk ishte një vit i lehtë, ishte një vit i vështirë dhe unë jam shumë i lumtur që ja dolëm dhe ja dolëm të gjithë bashkë. E rëndësishme është që ‘Kënga Magjike’ solli gëzim, solli lumturi, rifillimin e asaj për çka ne kishim nevojë. Unë vetëm kësaj gjëje i jam dedikuar. Nëse për 20 vite kam menduar për festivalin, këtë herë kam menduar diçka tjetër, kam menduar gjatë gjithë kohës për ata njerëz atje, për të dhënë një kontribut dhe jo vetëm për ata që kanë pësuar fatkeqësinë por për të gjithë ata që kishin nevojë për këtë gjë që bëmë ne sepse nuk jemi thjesht argëtim. Jemi ata që duhet të nxisim shpresën, energjinë të japim të vërtetën pa gënjyer”.

As këtë vit, magjia e këtij i festivalit të madh nuk i shpëtoi përfaqësuesve të rrjeteve sociale të EuroSong dhe Wiwi Bloggs që e çuan këtë arritje përtej kufijve të Shqipërisë.

Me regji të Aldon Lipes, skenografi të Gaetano Castellit dhe punën e një stafi të gjerë që e pasuruan Pallatin e Kongreseve me elemente të ledwallit, të ndriçimit dhe zërit, ‘Kënga Magjike’ dhuroi spektakël dhe emocion për tre netë me radhë, në transmetim të drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Kombëtar Klan.

Gjithçka për të vulosur çdo fundvit një histori suksesi.

Tv Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi