Kush shpenzon më shumë paguan më shumë

Nga 1 Korriku energjia elektrike në Maqedoninë e Veriut do të shtrenjtohet për 7.4 për qind. Rritja do të prek 98.8 për qind të qytetarëve, ndërsa do të ketë 4 tarifa të reja.

Me këto 4 lloje tarifash të energjisë elektrike që do të vlejnë vetëm për tarifën e lartë, qytetarët do të duhet të paguajnë më shumë nëse harxhojnë më shumë energji elektrike.

Ndërsa për tarifën e ulët e cila është nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit nuk do të ketë bllok të tarifave të reja, por edhe këtu do të ketë rritje për 1 denar.

“Për 59.9% të amviserivë do të ketë një rritje prej 6.6%. Për 35.5% të amviserivë do të ketë rritje nga 6.7 në 8.8%. Për 3.4% të amviserivë do të ketë rritje nga 8.8 në 11.2%. Për 1.2% të amviserivë do të ketë një rritje prej 11.4% dhe për ata që kanë harxhuar më shumë do të shkoje deri në 99.5%”.

Bllok tarifat do të jenë:

“Deri në 210 kilovat në muaj, do të paguajnë 7,72 denarë për kilovat. Deri në 630 kilovat në muaj, do të paguhet 8,08 denarë për kilovat. Deri në 1050 kilovat në muaj, do të paguhet 8,65 denarë për kilovat. Mbi 1050 kilovat në muaj atëherë do të paguajnë 17,47 denarë për kilovat”.

Për shkak të aplikimit të katër tarifave të reja, Komisioni Rregullator i ka propozuar që leximi i matësve të energjisë elektrike të bëhet çdo muaj.

Tv Klan