“Engjëjt e Amerikës”, është një shfaqje e teatrit bashkëkohor modern të dramaturgjisë botërore, që ka provokuar me temën që trajton dhe mesazhet e forta që përcjell. Është një vepër shumëdimensionale ku flitet për dashurinë, seksin, homoseksualetin, fenë, politikën, Zotin dhe për kuptimin e jetës. “Engjëjt e Amerikës”, e autorit Tony Kushner e cilësuar si vepra më e mirë e dekadave të fundit në dramaturgjinë botërore, është ngjitur në skenën e ArTurbinës, me regji të Arben Kumbaros.

Regjisori i shfaqjes ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nga ku tregoi më shumë detaje rreth shfaqjes.

“Shfaqja ka momente delikate të intimitetit, ka skena nudiste, ka skena të provokimit të sensualitetit dhe unë nuk do të doja kurrë që një mendje e keqe të abuzonte me imazhet e shfaqjes në kurriz të personalitetit të aktorëve. Unë kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për gjithë kurajën civile që ky grup aktorësh pati për të marrë pjesë në këtë projekt dhe është një shenjë emancipimi për ta. Do të doja që nga kjo shfaqje aktorët të merrnin satisfaksionin e profesionit dhe jo të ndiheshin të fyer. Ka pasur provokime jo të denja nëpër portale, por unë them që është akoma një shoqëri në evoluim dhe ka nevojë për tu emancipuar dhe për të parë mendjehapur jetën. Nuk është kollaj në realitetin tonë, por jam i kënaqur nga ballafaqimi i parë me publikun, kjo tregon me të vërtetë një shoqëri tolerante që shikon nga e ardhmja. Veprën unë e kam lexuar rreth viteve 2000, më është dukur e pamundur në atë kohë për ta vënë në Shqipëri, trembesha nëse do ta realizoja një ditë. Por kjo është një nga arritjet më të mëdha të artit perëndimor dhe unë thash që do ta bëj. Është bërë një punë kolosale për ta përmbledhur veprën, e cila është e shkruar në dy pjesë dhe shfaqet në dy net e plotë, në dy seri. Është një punë që ka ngrënë shumë mund për të arritur një rezultat dhe për të shkuar në lëkurën e disa personazheve që janë shumë të çuditshëm edhe për realitetin që ata njohin, por edhe për realitetin shqiptar. Është një sfidë me dramaturgji që ose të ngre në mënyrë të jashtëzakonshme ose “të thotë” prit se nuk e përballon dot”,

tha Arben Kumbaro.

Kjo shfaqje nuk do të jepet siç ishte parashikuar në datat 9-10-11-12 Maj, por do të shtyhet për javën e ardhshme në datat 16-17-18-19, pasi një prej aktorëve është sëmurë.

/tvklan.al