Rezarta është nënë e tre fëmijëve, dy vajza dhe një djalë, por për shkak të problemeve të emigracionit është ndarë nga bashkëshorti. Përpos mungesës së fëmijëve, Rezarta sot përballet edhe me konfliktet që i kanë lindur me mamanë e saj Zegjine. Cila është kërkesa e mamasë të cilën Rezarta nuk e plotëson dot?

Rezarta Hoxha: Sot kam ardhur këtu të përballem me nënën time se kam një hall shumë të madh. Kam tre fëmijë. Kam bërë gjyq që në 2016 që mori formën e prerë në Elbasan. Deri tani s’kam marrë asnjë fëmijë. Më ka dhënë gjykata fëmijën e vogël, djalin Denis. Unë u martova në vitin 2002 me mblesëri, me ish-burrin tim. Vitet e para shkonim mirë bashkë. Më vonë pasi erdhi në jetë goca e dytë, ish-bashkëshorti u largua shumë sepse jetonte në Itali. Tre muaj pasi u martuam iku emigrant në Itali. Njohu një femër tjetër atje, krijoi një lidhje tjetër. Më patën thënë dhe njerëzit e mi, por unë nuk e besoja. Ai e nxorri dhe në Facebook pastaj. I kam parë vetë mesazhet që kishte folur. Ajo nuk është shqiptare, është moldave. Që aty i thashë boll. Ai më la aty me prindërit e vetë. Nuk më donte mua për grua, më donte për prindërit e vetë edhe të rrisja fëmijët. Fëmijën e tretë ai donte ta bënte, se dontë të më bllokonte mua akoma. Unë i kërkoja gjithmonë të më merrte në Itali. Unë nuk u martova të rri këtu me vjehrrën dhe me vjehrrin.

Zegjine: Kjo donte ta afronte familjen, ta bashkonte. I kam thënë, o goc nuk është burrë për ty. Ai njëherë vinte. Çfarë kërkon ti nga ai burrë. Ai vinte nga Italia, nuk e çonte njëherë për kafe, nuk e nxirrte. E mbante vjehrra atje në shtëpi.

Eni Çobani: Ky njeri ju mbante ekonomikisht?

Rezarta Hoxha: Pak fare dërgonte, se kishin pension prindërit e tij. Vjehrra më thoshte ec puno te toka, se ti nuk do hash pensionin tim. Shkoja te toka punoja, punët e shtëpisë të gjitha i bëja, fëmijët i çoja në kopësht. Veja dhe tek toka pastaj, do punoja, do gërrmoja te dheu. Vjehrra ime s’donte t’ia dinte fare.

Eni Çobani: Sa vite jetove në këto kushte?

Rezarta Hoxha: 14 vjet. Me këtë shpresë që ai do më marrë bashkë me fëmijët. Ai ishte njeri me dy fytyra. Vinte aty sillej mirë me mua, kurse andej shikonte jetën e vetë. Për 10 ditë që rrinte aty sillej mirë. Po mua më mashtronte. Vjehrra më turpëronte shumë. Ajo më rrihte. Ish-vjehrri i thoshte lere nusen. Ishte një femër shumë e keqe.

Eni Çobani: Kur erdhi divorci juaj dhe kush ishte arsyeja që u divorcuat?

Rezarta Hoxha: E vërtetova që ai fliste dhe bashkëjetonte me këtë femër. Ndarja ndodhi tek shtëpia e mamit tim, tek prindërit e mi. Vajtëm një ditë për drekë bashkë me fëmijët, të pestë. Edhe aty filluam. I thoshte vëllai, mami, edhe unë, më merr bashkë me fëmijët. Aty filloi ai, jo nuk e marr, thoshte çfarë i mungon asaj.

Zegjine: I mori fëmijët, mbaje plehrën tha për bashkëshorten.

Rezarta Hoxha: Unë e padita në gjykatë. Unë i thashë që ti ke femër tjetër prandaj s’më merr mua andej. Ai justifikohej gjithmonë, thoshte nuk kam shtëpi, rri me çuna. Se 14 vjet nuk e merr një shtëpi ai që të marri gruan dhe fëmijët e vetë. Kishte tjetrën, bashkëjetonte.

Zegjine: Unë jam në debat se kam 4 vjet që e mbaj te shtëpia. Unë s’kam çfarë të bëj se me pension jam. Mua s’më del për ilaçe.

Rezarta Hoxha: Po ku të vete unë, çfarë të bëj. Kështu më ra fatkeqësia.

Eni Çobani: Divorci ka përfunduar në 11.01.2016 pranë Gjykatës së Elbasanit. Dy vajzave u është lënë kujdestaria babait dhe djali 3-vjeçar në atë kohë i është lënë nënës. Kjo është një vendimmarrje e gjykatës, që e kanë gjykuar kështu dhe në bazë të një akti psikologjik, të cilin në fakt zonja nuk ka arritur dot që ta ketë. Pra nëna nuk e ka lexuar aktin e ekspertimit, kush kanë qenë arsyet që psikologia ka vendosur që vajzat të qëndrojnë me babain dhe fëmija 3-vjeçar të qëndronte me nënën. Vajzat sot janë 15 vjeç e madhja dhe 13 vjeç.

Rezarta Hoxha: Unë s’kam as djalin. Përmbaruesi më thotë që është e vështirë, atë fëmijë me të qarë unë nuk e marr. Po ai fëmijë mësohet, ndikohet se po jetohet atje. Ish-vjehrra u thotë fëmijëve të mi ‘mami juaj është martuar në Elbasan dhe e ka burrin të varfër, edhe po ju mori mami burri asaj do ju nxjerri të mbështillni kanaçet e Elbasanit’. M’i tmerron fëmijët. Ajo më ndau dhe nga burri, se i thoshte çunit shiko jetën tënde. Unë jetoj me mamin tim, nuk jam martuar.

Ardit Gjebrea: Gjykata ia ka lënë vajzat babait, kur babai është në Itali. Mund t’i mbajë mamaja e babait?

Eni Çobani: Kam dëgjuar shumë burra në jetën time, kam folur me shumë prej tyre kam diskutuar, por gjuhë të atillë si ai zotëri, të cilit i kam thënë edhe në telefon, unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë! Një gjuhë e ashpër, e paedukatë, fjalë fyese kundrejt një njeriu të cilit, ju më njihni sa e edukuar jam në komunikime si private dhe publike, jam befasuar Ardit, nuk kam qenë në gjendje t’i kthej as përgjigje. I kam thënë vetëm një fjalë, ti ke përfituar vetëm se ke pasur bashkëshorte Rezartën, se po të kishe pasur ndonjë bashkëshorte tjetër, ti do ishe në tjetër vend. Dhe sigurisht, fjala e tij e fundit ishte po aq fyese, që jo ti të më marrësh në telefon tha, po kushdo të më marri nëpër telefona ajo punë është mbyllur dhe fëmijët ajo nuk ka për t’i parë ndonjëherë. Atëherë i thashë, zotëri i sheh apo nuk i sheh nëna fëmijët, ky është një problem tjetër. Por unë gjykoj me kë qëndrojnë këta fëmijë. Prandaj fjala ime sot është kundrejt gjykatës, psikologëve, policisë, i cili i njeh shumë mirë zonat dhe rrethet, dhe një babai të tillë t’i lësh për rritje dhe edukim tre fëmijë në këto mosha, kjo është një situatë alarmante. Sigurisht që ju mendoni se ka qenë thjesht një komunikim dhe unë nuk mund të vlerësoj deri në fund se kush ka qenë ai njeri. Por, njeriu tregon edukatën dhe me një fjalë se kush është.

Një moment i rëndësishëm për gjykatën në dhënien e kujdestarisë është raporti i psikologut.

Eni Çobani: Ka dy momente, varet sesi psikologia e ndërton detyrën që i jep gjykata. Një takim bëhet në prezencë të prindërve, një takim vetëm me fëmijët, një takim veç e veç me secilin nga prindërit dhe më pas shkohet në ambientet ku pretendohet që këta fëmijë do të qëndrojnë pas marrjes së kujdestarisë. Zonja psikologe, ka vajtur, ka parë ambientet, ka parë kushtet? Ka ditur që babai është në Itali dhe jo në Shqipëri? Pra si mundet t’i jepen dy fëmijë një babai që jeton në Itali dhe sot ata rriten nga gjyshërit e tyre dhe njëkohësisht zonja nuk ka as fëmijën që i ka lënë gjykata. Unë dua të di, a është marrë më ligji, drejtësia, që a ka vajtur në vend zbatimi dhe ekzekutimi i këtij vendimi? Sepse sot, pretendimi i ish-bashkëshortit në telefonatën me mua dhe pak kërcënues ishte: Po të vijë tha, t’i marrë, edhe të shikojë e duan fëmijët apo jo. Atëherë edhe ky komunikim tregon edhe njëherë që qëndrimi i gjatë me njërin nga prindërit, bën që të urrehet deri diku prindi tjetër, në mënyrë tepër të gabuar, sepse fëmijët kanë ardhur në jetë nga të dy dhe këtë i kam thënë edhe zotërisë. “Zotëri, kur i bërë fëmijët, i mendove që i ke bërë me këtë bashkëshorte dhe kjo është nëna e fëmijëve? Atëherë si ti mendon që këta fëmijë mund t’i largosh nga nëna? Fëmijët, tha, nuk e duan nënën. Kjo më ka ngelur si një fjalë, që jo vetëm është e rëndë, por si mund ta artikulojë një bashkëshort, sepse nuk ka fëmijëve sot në botë që nuk e do nënën?”

Eni Çobani: Unë i ftoj (vjehrrit e Rezartës), nëse ata preken nga fjalët e zonjave që janë këtu, por edhe nga komenti që unë po bëj, unë i ftoj të jenë publikisht përballë Rezartës dhe mamasë së saj, pikërisht për këto fjalë që ato po thonë, për familjen e ish-bashkëshortit. Jam shumë e hapur dhe do të isha e lumtur nëse kjo vjehrrë dhe kjo gjyshe do të vijë sot këtu dhe do të thotë arsyen përse i mban ajo fëmijët? Ka mundësi ta dëgjojmë këtë grua dhe të thotë, përse i mban këto fëmijë? Unë vetëm këtë dua të di.

Më tej juristja Çobani e pyeti Rezartën se përse vajza e madhe, në moshën 11-vjeçare, thotë nuk do të rrijë me nënën, por me babain?

Rezarta Hoxha: Ma mori vjehrra që të vogël, sepse më thoshte ec te toka puno dhe e mbante ajo… Ma bëri për vete gocën e vogël. E mbante tek dhoma vet dhe ma largoi komplet. Nuk më donte mua dhe ma vinte gocën kundra”.

Zegjine: Ajo flinte me gocën e kësaj, kjo flinte me gocën e dytë, ajo mbante të madhen. Prandaj nuk i duan ata të gjithë, sepse kjo rrinte me shpresën se do vijë burri. Ai vinte bënte ndonjë fëmijë, ikte. Rrinte dy vjet, vinte prap bënte edhe ndonjë…”

Rezarta e ka marrë të drejtën e kujdestarisë për djalin që në 2016-n, por si është e mundur që nuk e ka marrë atë?

Rezarta Hoxha: Kemi vajtur me përmbaruesin, kushedi sa herë tek shtëpia atje, për ekzekutimin e vendimit dhe përmbaruesi më thotë: Unë atë fëmijë nuk e marr, ai fëmijë është shumë i acaruar me ty, nuk e marr. Unë jap dorëheqjen që sot nga puna edhe atë fëmijë unë me zor nuk e marr. Një herë e mora, qau pak sa dola nga shkallët. Dola deri tek rruga, erdhi ma mori polici i zonës, ma mori nga krahu. Ti e ke marrë fëmijën me zor më tha dhe ty do të të denoncoj. Ma mori fëmijën nga krahu dhe e futi në shtëpi. ”

Rezarta Hoxha: Kam bërë edhe kallëzim në prokurori, për braktisje fëmijësh, por prokuroria e pushoi çështjen. Arsyeja është se ai po punon atje dhe po i ushqen ata fëmijë, thotë prokuroria. Unë i kam thënë që ai ka tokë këtu, të kujdeset këtu për fëmijët e vetë, të punojë këtu Shqipëri. Nuk ka përse të vejë në Itali dhe t’i lejë ato fëmijë. Nëse ai shkon në Itali le të mi japë mua, jam unë nëna gjallë, unë nuk kam vdekur, jam gjallë, i mbaj unë fëmijët e mi. Përse duhet të rrinë fëmijët e mi me gjyshërit zoti Ardit, ata janë të dy të paralizuar, të sëmurë, vete fqinja e merr fëmijën tim nga kopshti, djalin e vogël…

Eni Çobani: Është e palejueshme dhe jo ligjore, që fëmijët të mbahen nga gjyshërit dhe jo nga prindërit që u është lënë kujdestaria. (Babai) Të vendosë përfundimisht se çfarë do të bëjë me fëmijët e tij. Pra do të qëndrojë në Itali dhe do t’i marrë fëmijët atje, apo do të rrijë këtu dhe do të qëndrojë pranë fëmijëve. Në kushtet që kjo nuk zgjidhet, unë e ftoj edhe njëherë Rezartën t’i drejtohet edhe njëherë gjykatës për përfitimin e të tre fëmijëve, sepse kemi një braktisje që dihet nga të gjithë personat që janë të implikuar në këtë rast dhe fshihet rasti. Qëllimin unë nuk e di dhe nuk dua të vë emër. Por unë i ftoj edhe njëherë, Rezartën dhe ish-bashkëshortin, për t’u ulur me njëri-tjetrin dhe për të vendosur se çfarë do të bëjnë me këta fëmijë. Fëmijët janë të tyre, vendimet i marrin prindërit për fëmijët e tyre, pastaj është ligji dhe gjykata. Kështu që, pavarësisht gjuhës së ashpër të komunikimit, e ftoj ish-bashkëshortin të vijë të ulet dhe të zgjidhë problemet me ish-bashkëshorten.

Në kushtet kur ish-bashkëshorti ka pak gjasa që ta bëjë këtë, Çobani tregon se çfarë parashikon ligji.

Eni Çobani: Në këto kushte, ligji parashikon që kur fëmijët braktisen nga prindi kujdestar, detyrimisht i merr fëmijët prindi tjetër. Atëherë, këtu nuk ka zgjidhje tjetër. Fëmijët ose do të qëndrojnë në kujdestarinë që ka vendosur gjykata, ose Rezartës i takon që nga ky moment, të hapë sërish gjyq për fitimin e kujdestarisë e të tre fëmijëve, në kushtet që bashkëshorti i ka braktisur ata. Ai baba që ka marrë përsipër të mbajë dy fëmijë me ligj dhe një pa ligj, sepse e ka pa ligj atë fëmijën e tretë. Atëherë këtu duhet të përgjigjet si gjykata, si prokuroria, si policia, që përse situata është në këtë gjendje.

Në fund Rezarta iu drejtua fëmijëve të saj me këto fjalë: I ka mami princesha, i dua shumë zonja Eni, nuk jetoj dot pa ato 3 fëmijë. Të lutem zonja Eni, gjykatat e Elbasanit kanë 4 vjet që më sorollasin, për asgjë nuk më kanë ndihmuar deri tani. Shpresa ime e fundit ti je zonja Eni. I dua të tre fëmijët e mi.

Eni Çobani: Edhe unë e dashur derisa të solla në këtë seancë ndërmjetësimi, e kam marrë përgjegjësinë për të të qëndruar në krah, për ta vazhduar luftën me ty dhe deri në fund të respektohet ligji, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjithë. Do të bëjmë ç’është e mundur të marrësh fillimisht djalin, që ta ka caktuar ligji. Dhe nëse vajzat vazhdojnë dhe jetojnë me gjyshërit, ne do të hapim një proces tjetër gjyqësor, për braktisjen e fëmijëve nga ish-bashkëshorti dhe marrjen e kujdestarinë nga ana juaj./tvklan.al