Në momentin kur 21-vjeçari Enis Halili ka vendosur të hyjë në det për ‘`u freskuar, në plazh ka qenë i vendosur “flamuri i kuq”, që do të thotë se noti është i ndaluar, thotë për Klan Maqedoni, Arjona Hajdinaga gazetare nga Mali i Zi. Ajo shton se ekipet e shpëtimit kanë qenë të stacionuar në plazh, por vetëm kanë nxjerrë trupin e pa jetë, ndërsa ndihma e shpejtë ka konstatuar vdekjen.

“Është mjaft vend i frekuentuar. Ajo që dimë deri në këto momente, është se gjatë ditës së djeshme ka qenë në fuqi “flamuri i kuq” në bregdetin tonë, kjo do të thotë se ka rrymë dhe se është rrezik për larjen e turistëve dhe jo vetëm. Fatkeqësisht kjo nuk respektohet nga të gjithë. Flamuri ka qenë në të gjithë bregdetin, edhe në plazhet e Ulqinit dhe në zonën Utjeha. Shpëtimtarët gjithmonë janë aty. Janë të detyruar të jenë një shpëtimtar në njëmijë metër. Kjo ngjarje i ka tronditur të gjithë qytetarët të cilat jetojnë në Ulqin”, tha Arjona Hajdinaga, gazetare.

Ministria e Punëve të jashtme informon se autopsia është kryer ndërsa shkaqe e vdekjes janë si pasojë e mbytjes në ujë ndërsa në trupin e tij nuk ka shenja dhune.

“Sipas informacioneve nga institucionet kompetente malazeze, obduksioni është kryer dhe është konstatuar vdekje si pasojë e mbytjes në ujë. Në ambasadën tonë në Mal të Zi është kryer procedura e lëshimit të lejes për transportimin e kufomës së të ndjerit në Maqedoninë e Veriut”.

Pas kryerjes së procedurave të nevojshme në Podgoricë, trupi i pajetë i 21-vjeçarit, pritet që brenda ditës të mbërrijë në Tetovë, kurse dita e varrimit do të bëhet e ditur nga familja e tij.

Dy ditë më parë, 21-vjeçari nga Tetova ishte nisur për të punuar gjatë sezonit të verës në Utjehë, vend turistik në Mal të Zi, por humbi tragjikisht jetën në ujërat e Adriatikut.

Klan Macedonia