“Bëri paraqitje të mire me Poloninë, ka shanse për finalet e Euro 2024”

Enkeleid Dobi, i cili e ndoqi ndeshjen Poloni – Shqipëri në Varshavë thotë për Tv Klan se sfida kualifikuese e Europianit 2024 u përcaktua vetëm nga një rast, ai i golit të shënuar në fundin e pjesës së parë nga polakët. Trajneri shqiptar e njeh mirë futbollin e të dy vendeve dhe e shikon si pozitive paraqitjen e Shqipërisë.

“Unë mund të them që vetëm goli ishte ndryshimi. Loja e Shqipërisë më dha shenja pozitive dhe shikoj me një plus”.

Sipas Enkeleid Dobit, i cili ka luajtur futboll dhe ka drejtuar ekipe në Poloni shanset e Shqipërisë për një vend në finalet e Euro 2024 janë reale.

“Me Moldavinë dhe Ishjut Faroe do të kërkojmë 6 pikë. Në atë moment na kthehen edhe lojtarët e dëmtuar dhe do të jemi më solid. Kemi shanse reale për tu kualifikuar”.

Në fazën finale të turneut që do të mbahet në Gjermani në verën e vitit të ardhshëm shkojnë dy ekipet e renditura më lart në grup.

Tv Klan