Federata spanjolle konfirmoi se bashkëpunimi me trajnerin nuk do të vazhdojë

Luis Enrike nuk do të jetë më trajneri i Spanjës pas eliminimit në të 16-at e kampionatit botëror Katar 2022. Konfirmimin e dha Federata Spanjolle në rrjetet sociale.

Tekniku 52-vjeçar e kishte marrë drejtimin në 2018, ndërsa kontrata i përfundonte në fund të vitit 2022. Por institucioni i futbollit në vend vendosi që nuk do ta vazhdonte më bashkëpunimin dhe se me përfaqësuesen do të niste një projekt të ri.

Luis Enrike mori përgjegjësinë pas eliminimit të “Furisë së kuqe” nga Maroku. Ndërsa mes trajnerit dhe zyrtarëve kishin nisur krisjet.  Mosmarrëveshjet filluan nga angazhimi i tepërt në rrjetet sociale që mendohet se nuk i kanë shërbyer imazhit.

Por peshën më të madhe e mbajtën rezultatet sportive jo të mira. Aktualisht janë dy emra për ta zëvendësuar 52 vjeçarin; Marcelino García-Toral, ish i Atletik Bilbaos dhe Luis de la Fuente, trajneri aktual U-21.

I pari ka më shumë përvojë me lojtarë të nivelit të lartë dhe një personalitet të fortë.  Ndërsa De la Fuente është bashkëpunues dhe do të bënte punë të vazhdueshme me grupin.  Trajneri i ri do të testohet në Ligën e Kombeve, në qershor. Nëse ka sukses, kontrata e tij do të zgjatet.

Klan News