Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti ka qenë i ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan për të folur rreth situatës që Covid-19 ka krijuar në Shqipëri. I pyetur nga moderatorja Mirela Milori se si është përhapja me Covid-19 dhe ku jemi me virusin, ai është shprehur se masat që janë marrë nuk po na sigurojnë.

Mirela Milori: Si është përhapja, si është gjurmimi, ku jemi me virusin?

Ilir Alimehmeti: Asnjë shtet nuk ka arritur të arrijë këtë perfeksion që ju sapo përmendët. Situata është  në një transmetim qartësisht të përhapur, i cili nuk është i përhapur në mënyrë homogjene. Patjetër që Tirana është më e prekur sesa rrethet e tjera, zonat rurale janë më pak të prekura sesa zonat urbane e me radhë, pra ka ndryshime nga zona në zonë.

Shqipëria përkufizohet ende si vend me transmetim në grupe rastesh, Tirana bën pak përjashtim, mund të jetë edhe në transmetim komunitar. Kjo do të thotë që kaq masa sa kemi nuk na sigurojnë. Në këtë koncept kemi dy akse, kemi testimin, gjurmimin dhe izolimin i cili duhet ta bëjnë strukturat dhe kemi aksin tjetër, distancë, higjenë, maskë që duhet ta bëjnë njerëzit. Pra ky është bashkëpunimi që duhet të bëjnë institucionet dhe personi.

Çalimi është nga të gjitha krahët, pra nuk ka asnjë nga këta elementë që të jetë perfekt. Testime ne bëjmë shumë pak dhe nuk janë të mjaftueshme, si rrjedhojë gjurmimi nuk është i mjaftueshëm dhe si rrjedhojë izolimi nuk është i mjaftueshëm.

Nuk kemi ruajtje të distancës, kemi shumë raste  mjafton të dalim rrugëve dhe e vëmë re. Higjena është më pak e evidentueshme, por patjetër edhe nëse e arrijmë ta gjurmojmë edhe këtë do shohim që edhe higjena nuk është ideale pavarësisht që ka përmirësim krahasuar me Marsin. Asnjë nga këta elementët nuk e ka arritur nivelin e duhur. /tvklan.al