“Policia të ushtrojë kontrolle për respektimin e karantinës”

Vatrat kryesore të shpërthimit epidemik janë ato familjare. Epidemiologu Rexhep Muaja u bën apel qytetarëve të ndërpresin kontaktet me famljen kur kanë dyshime se janë të infektuar.

“Nga të gjitha grupmoshat, për më tepër 25-45 vjeç janë më të prekurit”, thotë Muja.

Epidemiologu kërkon që forcat e policisë të verifikojnë personat që duhet të jenë të karantinuar.

“Shumë pacientë kur dalin pozitivë ne i këshillojmë që në momentin e parë sidomos me testet e shpejta që të izolohen nga familjarët, por kjo nuk po bëhet. Policia të ushtrojë kontrolle për respektimin e karantinës”, u shpreh ai.

Pranë qendrave shëndetësore ka fluks të qytetarëve që presin për të bërë testin e shpejtë nëse janë në 5 ditët e para të simptomave ose tamponin PCR. I pyetur nëse do ishte mirë të bëhej liberalizimi i tregut për testet e shpejta, epidemiologu jep këtë përgjigje.

“Nuk ma do mendja që në Shqipëri të arrihet ajo që gjithsecili ta kryejë testin vetë. Duhet një farë instruktazhi për të gjithë familjarët që të kryhet. Mund të ketë keqinterpretime në rezultatet e testit sikurse na ndodh edhe ne”, tha ai.

Rradha e vaksinimit u erdhi edhe epidemiologëve që marrin tamponin te personat e dyshuar.

Bluzat e bardha u bëjnë apel qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të respektojnë masat anticovid, pasi numri i të infektuarve është rritur ndjeshëm.

Klan News