I ftuar në studion e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë i ftuar epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku i cili ka folur për situatën e koronavirusit në Shqipëri dhe se çfarë na pret gjatë muajve në vazhdim. Ai shprehet se derisa vaksina të përhapet në të gjithë botën, gjatë këtyre muajve ne riskojmë të shkojmë në kolaps.

Mirela Milori: Situata duket sikur po përkeqësohet, kemi shtim të numrave. Jemi në valën e madhe tani apo Janari do jetë më i rrezikshëm se kjo është ajo që na mundon të gjithëve.

Dritan Ulqinaku: Kjo është një gjë që na shqetëson dhe neve të Institutit të Shëndetit Publik. Ne përditë po përpiqemi të bëjmë ato kalkulimet tona për të dhënë një përgjigje se kur do jetë piku i valës. Nuk është e lehtë më besoni, ajo që dihet është se ne kemi një numër zyrtar të testuarish pozitiv i cili shkon diku tek 1% i popullatës shqiptare, pra 1 % e popullatës e ka ose e ka kaluar këtë virus. Ne dimë gjithashtu që jo gjithmonë tampon është efikas, është i sigurt sepse ka shumë kleçka edhe gjatë rrugëtimit të tamponit, duke filluar që nga dora e specialistit, që nga koha e infektimit të personit dhe tek laboratori që mund të ketë ato fazat e veta. Këtë 1% të popullatës ne mund ta shumëzojmë me 2, por ka eskpertë të tjerë që e shumëzojnë me 5 ose më shumë.

Mirela Milori: Pra ju mendoni që shifra e të prekurve jepet në minimumin e saj?

Dritan Ulqinaku: Është në minimumin e saj padiskutim, zyrtare kemi rreth 30 mijë të infektuar, pra është 1% e popullatës. Në gjykimin tim unë mund të them që jemi diku tek 70-80 mijë persona të infektuar tashmë.

Lajmi i mirë është se efikasiteti i vaksinës së re është mbi 90%. Flitet që në Dhjetor të prodhohet në mënyrë masive që do të thotë në Shqipëri, në rastin më të mirë mund të vijë nga fundi i Shkurtit ose fillimi i Marsit. Pra janë këto tre muaj të cilat duke nisur dhe nga numri i rasteve që ka ardhur në rritje dhe po vazhdon të jetë në rritje, mund të themi që nëse nuk e marrim shumë seriozisht ne riskojmë të shkojmë dhe në kolaps. /tvklan.al