Athina zyrtare deklaron se tashmë Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë kaluar në një epokë miqësie dhe bashkëpunimi. Deklarata është bërë nga ministri Alternat i Punëve të Jashtme, Jorgos Katrougalos, gjatë një interviste për radion shtetërore, ERA.

Sipas tij,

“tashmë nuk ekziston më ajo që helmonte marrëdhëniet midis të dy popujve”.

Katrougalos ka thënë gjithashtu që vendi i tij e ruan të drejtën e vendosjes së vetos në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimi në BE, në rast se, siç tha, vendi fqinj nuk respekton detyrimet e Marrëveshjes së Prespës.

“Mirëpo, nuk ka për të ndodhur. Gjendemi në një periudhë të normalizimit të marrëdhënieve dhe jo të ashpërsimit të mosmarrëveshjeve”

, shtoi Katrougalos.

Ministri Alternat grek, la të kuptohet se është duke u punuar për një vizitë zyrtare të Kryeministrit maqedonas në Athinë.

“Tani e tutje do të diskutohen shkëmbime të ndryshme në të gjitha nivelet, pikërisht ngaqë duam të promovojmë bashkëpunimin, sidomos në fushën ekonomike, në dobi të të dy vendeve

“, tha Katrougalos.

Deklaratat e kryediplomatit grek u bënë ndërsa kanë filluar ndryshimet e tabelave qeveritare e shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Që nga dje ky është një nga lajmet kryesore në mediat e rëndësishme greke.

Tv Klan