Nga Italia e Bjellorusia u tërhoqën nga bukuria e natyrës shqiptare

Jo vetëm si punëmarrës, por edhe si sipërmarrës, të shumtë janë të huajt që zhvillojnë aktivitetin e tyre privat në vendin tonë. Consuelo Ferroci, avokate me 24 vite karrierë në Itali vendosi të hapë një studio ligjore në Durrës. Prej  kohësh ajo punon në qytetin bregdetar për çështjet ligjore të emigrantëve dhe për të nuk ka qenë një surprizë mikëpritja dhe korrektësia e shqiptarëve edhe në aspektin e punës.

 “Të komunikosh me shqiptarët është shumë e thjeshtë, krahasuar me popujt e tjerë. Sipas meje mjafton të plotësosh tre kushte: të thuash të vërtetën, të jesh korrekt dhe mos i shtrembërosh fjalët.  Merrem vetëm me të drejtat e emigrantëve dhe kam punuar me të gjitha shtetësitë në fillim, por prej 10-12 vitesh, pra gjysmën e karrierës sime aktuale vendosa të punoj vetëm për shqiptarët.”

Ferroci thotë se me shqiptarët krijohet dhe një komunikim i shkëlqyer njerëzor dhe kjo për të mbetet thelbësore.

 “Unë jam italiane, por për mua, italianët duhet të mësojnë shumë nga respekti për punën dhe korrektësia e shqiptarëve. Këtë besoj se mund të na mësoni, vlera që ne i kemi harruar.”

Bjellorusi Aliaksandr Kavaleuskiy, është një tjetër i huaj që zhvillon aktivitetin e tij privat në Durrës.

 “Këtu kam ardhur për herë të parë si turist në vitin 2021 dhe brenda 6 muajsh vendosa të zhvendosesha përfundimisht bashkë me familjen time. Kemi hapur dhe një agjensi imobilare këtu, për ta bërë Shqipërinë të njohur edhe në Bjellorusi, por edhe për të investuar në ekonominë shqiptare. Kam pasur qindra blerës këtu. Unë punoj më shumë me klientë nga Ukraina, Bjellorusia, Rusia etj.“

Por si ndjehen ata në Durrës?

 “Durrësi është një qytet i qetë dhe i jetueshëm, ku edhe kur je vetëm nuk ndihesh vetëm.”

“Më pëlqejnë njerëzit këtu, janë të përgjegjshëm, të sjellshëm dhe gjithmonë të gatshëm për të të ndihmuar.”

Në Durrës 3% e sipërmarrësve janë të huaj, kryesisht italianë që zhvillojnë aktivitet privat në fusha të ndryshme.

Klan News